Debat në Kuvend për Zvërnecin/ Denaj: Shqipëria duhet të fokusohet te turizmi elitar

Kryetarja e Komisionit për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, Anila Denaj, ka folur në Kuvend gjatë diskutimeve për projektin e ndërtimit të një resorti turistik në Zvërnec, një nismë që është kundërshtuar nga banorët e zonës dhe disa qytetarë.
Ajo është shprehur se Shqipëria ka nevojë për zhvillimin e turizmit elitar dhe për tërheqjen e investimeve të huaja, duke përmendur edhe shifra për rritjen e investimeve dhe numrin e bizneseve që operojnë në vend.
Sipas saj, çështjet e pronave nuk duhet të trajtohen në debatet politike në Kuvend, por të zgjidhen përmes institucioneve të drejtësisë.
Ajo ka shtuar se procesi i pronave është i trashëguar ndër vite dhe lidhet me zhvillime që kanë nisur që pas vitit 1991.
Në fjalën e saj, Denaj ka folur edhe për rëndësinë e turizmit në ekonominë e vendit, duke thënë se Shqipëria ka mundësi të zhvillojë jo vetëm turizmin masiv, por edhe atë elitar, që sipas saj mund të tërheqë vizitorë me shpenzime më të larta dhe ndikim më të madh ekonomik.
FJALA E PLOTË:
“Investimet e huaja direkte, vetëm vitin e shkuar arritën në 1.63 miliardë euro dhe stoku i investimeve të huaja është në 17 miliardë euro. Janë gati 18 mijë kompani të huaja që operojnë në Shqipëri, që punësojnë një numër të konsiderueshëm ekspertësh e punonjësish shqiptarë. Janë 7800 biznese, që vetëm në 4 muajt e parë të këtij viti, i janë shtuar numrit të bizneseve në Shqipëri. PBB ka arritur në 27 miliardë euro. Ne gjejmë debatin politik për të hedhur baltë, për çështje që nuk janë pjesë e këtij diskutimi. Procesi i tokave nuk është pjesë e kësaj foltoreje, por është pjesë e proceseve të gjykatës. Është një proces jo i lehtë dhe i nisur që nga viti 1991 dhe i trashëguar në vite, sigurisht nga të gjitha administratat. Prandaj nuk mund të përdoret sot për retorikë politikë. Sot kemi mundësinë të mësojmë edhe nga historia e vendeve fqinj, që mezi u ringritën në turizmin që e kanë pjesën më të rëndësishme të tyre, pas krizave të cilat i kaluan me sukses, por jo me lehtësi. Ne kemi mundësi jo vetëm për turizmin e thjeshtë, por edhe për atë elitar. Që të kemi mundësi që shumë turistë elitarë të mos kalojnë përgjatë Mesdheut e të mos ndalojnë në Zhqipëri, por ta ngulin flamurin edhe në vendin tonë”.

