Macron premton përgjigje të ashpër pas trazirave që pasuan fitoren e PSG-së në Ligën e Kampionëve

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka dënuar ashpër trazirat, që shpërthyen në mbarë vendin pas fitores së Paris Saint-Germain (PSG) në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Arsenal-it, duke premtuar një përgjigje të fortë ndaj autorëve të dhunës.

“Ky nuk është futboll, nuk është sport dhe nuk është ajo që ne duam”, deklaroi Macron gjatë pritjes së ekipit francez në Pallatin Élysée, pas kthimit të tij nga Budapesti, sipas transmetuesit francez BFMTV.

Sipas shifrave më të fundit të publikuara nga ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, 780 persona janë arrestuar në të gjithë Francën, gjatë trazirave, prej të cilëve rreth 480 në zonën metropolitane të Parisit.

Të paktën 57 efektivë policie mbetën të plagosur, ndërsa autoritetet vijojnë vlerësimin e plotë të incidenteve.

Autoritetet raportuan një rritje prej 30% të incidenteve krahasuar me vitin e kaluar, kur PSG fitoi për herë të parë Ligën e Kampionëve.

Gjatë trazirave të vitit të kaluar humbën jetën dy persona, ndërsa afro 200 të tjerë u plagosën.

Gjithashtu, 559 persona u arrestuan dhe u regjistruan rreth 700 vatra zjarri, shumë prej tyre automjete të djegura.

Pas finales së këtij viti, ku PSG-ja mposhti Arsenalin me penallti, u raportuan incidente në rreth 15 qytete franceze.

Në Paris, situata ishte veçanërisht e tensionuar në zonën e bulevardit Champs-Élysées, ku mijëra tifozë u mblodhën pas ndeshjes.

Persona të maskuar u përplasën me forcat e sigurisë, ndërsa u hodhën objekte dhe u përdor gaz lotsjellës.

Videot e shpërndara në rrjetet sociale treguan automjete të përfshira nga flakët, barrikada të ngritura në rrugë dhe fishekzjarre të hedhura në drejtim të njerëzve.

Ndërkohë, mijëra tifozë e ndoqën finalen në ekranin gjigant të vendosur në stadiumin “Parc des Princes”, i cili sipas medieve franceze, ishte pothuajse i mbushur plot.

Për garantimin e sigurisë, në të gjithë Francën u angazhuan rreth 22 000 forca policore, përfshirë 8 000 vetëm në kryeqytetin francez.