Presidenti i Iranit kërkon ndryshim të qeverisjes, mohon zërat për dorëheqje

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian bëri thirrje dje në mbrëmje, për një ndryshim rrënjësor në mënyrën e drejtimit të vendit, ndërsa zyra e tij hodhi poshtë spekulimet se ai kishte paraqitur dorëheqjen.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve “Fars”, Pezeshkian deklaroi se udhëheqja e Iranit nuk duhet të mbetet në duart e një grupi të kufizuar drejtuesish dhe zyrtarësh.

Presidenti reformist kërkoi përfshirjen e të gjitha grupeve shoqërore, aktorëve ekonomikë, komunitetit shkencor dhe qytetarëve në proceset e vendimmarrjes në vend.

Deklaratat e tij bien në kontrast me realitetin politik të Iranit, ku pozicionet kyçe shtetërore prej dekadash mbahen nga figura me lidhje të ngushta me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).

Pezeshkian argumentoi se sa më shumë të përfshihet publiku në proceset e vendimmarrjes dhe zgjidhjes së problemeve, aq më të mëdha janë gjasat për të përballuar me sukses sfidat me të cilat përballet vendi.

“Kur qytetarët përballen me vështirësi, drejtuesit duhet të qëndrojnë pranë tyre dhe të punojnë për zgjidhjen e problemeve”, tha ai.

Irani është përballur vazhdimisht me protesta mbarëkombëtare kundër qeverisë, të nxitura nga pakënaqësia ndaj udhëheqjes autoritare.

Vala më e fundit e protestave shpërtheu në fillim të vitit, fillimisht si reagim i tregtarëve ndaj situatës ekonomike, por më pas u shndërrua në një nga lëvizjet më të mëdha protestuese të viteve të fundit.

Autoritetet iraniane iu përgjigjën protestave me masa të ashpra, ndërsa raportohet se mijëra persona kanë humbur jetën.

Ndërkohë, zyra e presidentit mohoi zërat se Pezeshkian i kishte paraqitur dorëheqjen udhëheqësit suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, duke theksuar se ai do të vazhdojë t’i shërbejë popullit iranian.

Presidenti iranian u bëri gjithashtu thirrje qytetarëve të kursejnë energjinë elektrike dhe karburantet, ndërsa vendi po përballet me pasojat e luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, përfshirë edhe bllokadën amerikane ndaj porteve iraniane.

Ai paralajmëroi se nëse nuk ulet konsumi i energjisë elektrike, gazit dhe burimeve të tjera energjetike, sektorë të rëndësishëm të prodhimit industrial mund të përballen me pasoja negative.

“Popullsia duhet të jetë e vetëdijshme për realitetin aktual, si dhe për kërkesat dhe kostot e rezistencës”, theksoi Pezeshkian.