Sheinbaum akuzon SHBA-në për ndërhyrje në punët e brendshme të Meksikës

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për ndërhyrje në punët e brendshme të vendit të saj.

“Nuk pranojmë ndërhyrje. Ne jemi një vend i lirë, i pavarur dhe sovran”, deklaroi dje Sheinbaum gjatë një tubimi në Ciudad de México, me rastin e përvjetorit të dytë të fitores së saj zgjedhore.

Sipas presidentes, një agjenci e Departamentit amerikan të Drejtësisë ka kërkuar arrestimin e 10 shtetasve meksikanë, me qëllim ekstradimin e tyre në SHBA.

Ajo tha se mes tyre ndodhen një guvernator, një kryetar bashkie dhe një senator në detyrë, por nuk bëri publikë emrat e tyre dhe as detaje të tjera.

Pretendimet e saj nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Sheinbaum theksoi se nëse vendet e huaja vendosin se kush është fajtor dhe kush jo, ose ushtrojnë presion mbi institucionet meksikane, atëherë nuk bëhet më fjalë për bashkëpunim, por për ndërhyrje.

“Meksika nuk është “objekt” i askujt”, u shpreh ajo, duke përdorur metaforën (pinata) që i referohet figurave tradicionale të goditura me shkop derisa prej tyre të bien ëmbëlsira.

Presidentja u bëri thirrje mbështetësve të saj, që në javët e ardhshme të organizojnë aktivitete informuese, në sheshet publike për të shpjeguar rëndësinë e mbrojtjes së sovranitetit kombëtar.

Deklaratat e saj vijnë në një kohë kur në Meksikë po zhvillohet një debat i gjerë mbi ndikimin e huaj në proceset zgjedhore.

Së fundmi, parlamenti miratoi një reformë kushtetuese të mbështetur nga partia në pushtet, “Morena”, e cila parashikon anulimin e zgjedhjeve në rast se provohet ndërhyrja e huaj.