Wadephul: Avancimi i Izraelit në Liban, shkak për shqetësim të madh
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul bëri thirrje dje për rikthimin e armëpushimit Izrael-Hezbollah, ndërsa përplasjet në Liban janë përshkallëzuar sërish.
Wadephul deklaroi se avancimi i vazhdueshëm i ushtrisë izraelite, në jug të Libanit është shkak për shqetësim të madh.
Kryediplomati gjerman i kërkoi Izraelit të shmangë dëmtimin e civilëve dhe infrastrukturës civile, gjatë operacioneve kundër Hezbollahut, të mbështetur nga Irani.
“Çdo përshkallëzim i mëtejshëm vetëm sa do të përkeqësojë situatën, tashmë të tensionuar, dhe do të shkaktojë valë të reja zhvendosjesh brenda Libanit”, paralajmëroi Wadephul gjatë vizitës në selinë e Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork.
Lufta mes Izraelit dhe Iranit ka sjellë gjithashtu një rifillim të luftimeve ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut, në Liban.
Në mesin e prillit, qeveritë e Izraelit dhe Libanit ranë dakord për një armëpushim, i cili është zgjatur dy herë, që atëherë.
Megjithatë, Hezbollahu dhe Izraeli kanë vazhduar përplasjet e përditshme dhe herë pas here kanë ndërmarrë sulme të rënda.
Izraeli njoftoi të shtunën se do të zgjerojë operacionet e tij, në jug të Libanit dhe urdhëroi evakuimin e banorëve në disa fshatra të zonës.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se urdhri për evakuim, u dha si përgjigje ndaj asaj që Izraeli e cilësoi, si shkelje të vazhdueshme të marrëveshjes së armëpushimit nga Hezbollahu.
Wadephul e përshkroi avancimin izraelit si një reagim ndaj sulmeve të vazhdueshme të Hezbollahut ndaj veriut të Izraelit, duke i bërë thirrje grupit militant të ndalë sulmet.
Megjithatë, ai kritikoi edhe mënyrën se si Izraeli po vepron në Liban.
“Izraeli ka interesa legjitime sigurie, por nëse civilët paguajnë çmimin e përshkallëzimit ushtarak dhe disa pjesë të Libanit bëhen përgjithmonë të pabanueshme, kjo nuk do ta bëjë Izraelin më të sigurt në planin afatgjatë”, tha ai.
Sipas shifrave zyrtare, më shumë se 3 200 persona janë vrarë dhe mbi 9 800 të tjerë janë plagosur në Liban, si pasojë e konfliktit në vazhdim.
Wadephul bëri thirrje gjithashtu për forcimin e shtetit libanez, i cili nuk është palë në konflikt, me qëllim stabilizimin e vendit.

