SHUHET KRESHNIK TARTARI! Legjendë e volejbollit, “babai” i Dinamos “së artë” në Volejboll ndërron jetë në moshën 83-vjeçare

Kreshnik Tartari, një nga legjendat e volejbollit shqiptar, është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare. Si trajner i Dinamos dhe i ekipit kombëtar, ai fitoi tituj të shumtë dhe u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh”.

Kreshnik Tartari, i cilësuar si një prej legjendave të volejbollit shqiptar, është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare.

Ai ishte arkitekti i ekipit të femrave të Dinamos që shkroi historinë e volejbollit shqiptar. Nën drejtimin e tij, skuadra nisi në vitin 1974 një dominim të jashtëzakonshëm, duke fituar 11 tituj kampionë radhazi dhe 20 tituj në total.

Dinamo arriti rezultate historike edhe në arenën europiane, duke u renditur mes katër skuadrave më të mira të kontinentit. Ndërkohë, si trajner i ekipit kombëtar, Tartari udhëhoqi Shqipërinë drejt fitimit të titullit kampion në Lojërat Mesdhetare.

I lindur më 21 korrik 1943 në Tiranë, ai ishte një nga figurat që kontribuoi më së shumti në ngritjen e volejbollit shqiptar në nivelet më të larta. Si sportist me Dinamon dhe ekipin kombëtar, por edhe më pas si trajner, la pas një trashëgimi të pasur me trofe dhe suksese.

Për kontributin e tij të shquar në sport, Kreshnik Tartari u nderua me tituj dhe vlerësime të shumta, mes të cilave edhe titulli i lartë “Mjeshtër i Madh”.