NË TIMON NËN EFEKTIN E DR*GËS/ Futbollisti Raheem Sterling u arrestua pasi bëri aksident

Raheem Sterling u arrestua pasi u përplas me makinën e tij në Hampshire dhe dyshohet se drejtonte nën ndikimin e drogës. Futbollisti anglez është liruar me kusht, ndërsa policia vazhdon hetimet.

Futbollisti Raheem Sterling u arrestua nën dyshimin se ka drejtuar automjetin nën ndikimin e drogës,  pasi u përfshi një aksident në Hampshire.

Ish-anësori i Anglisë, i cili së fundmi luajti për Feyenoord në Holandë përplasi Lamborghini-n e tij me barrierat anësore të rrugës.

Pas procedurave 31-vjeçari është lënë i lirë me kusht, ndërsa hetimet vazhdojnë.

Policia përmes një deklarate tha se ai akuzohet për drejtim mjeti në gjendje të papërshtatshme për shkak të përdorimit të drogës, drejtim të rrezikshëm, posedim të një lënde narkotike dhe refuzim të analizës.

Një burim pranë Sterling konfirmoi arrestimin, por i tha BBC Sport se “nuk ka prova” që lojtari kishte drogë në organizëm.

I njëjti burim shtoi se futbollisti ka kaluar “disa vite jashtëzakonisht të vështira” dhe është bërë të ndihet “i pavlerë” dhe “i harruar”.

Sterling iu bashkua Feyenoord-it në shkurt me një kontratë deri në fund të sezonit, pasi u largua nga Chelsea në janar, por zhvilloi vetëm tetë paraqitje në Holandë.

Ai u nda me Chelsea-n me marrëveshje të përbashkët, pasi arriti një marrëveshje financiare me klubin londinez për 18 muajt e mbetur të kontratës së tij, e cila vlente mbi 300 mijë paund në javë.

Në katër sezone me Chelsea-n – përfshirë edhe një huazim njëvjeçar te Arsenal – ai regjistroi vetëm 59 paraqitje në kampionat, pasi ishte transferuar nga Manchester City në vitin 2022.

Me Manchester City-n fitoi katër tituj të Premier League, ndërsa karrierën e tij profesionale e nisi te Liverpool përpara se të transferohej në Manchester në vitin 2015.

Sterling ka zhvilluar 82 ndeshje me kombëtaren e Anglisë, ku paraqitja e tij e fundit ishte në Kupën e Botës 2022 në Katar.