Sot, finalja e turneut ndërkombëtar të padelit në Tiranë

Finalja e turneut ndërkombëtar të padelit, “Fip Platinum Albania” do të zhvillohet sot në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë.

Turneu, i cili po zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, ka sjellë në Tiranë disa nga emrat më të njohur të padelit ndërkombëtar, duke e kthyer sheshin qendror të kryeqytetit në një arenë të madhe sportive.

Sheshi “Skënderbej” është transformuar plotësisht në një arenë moderne sportive, ku është ngritur infrastruktura teknike dhe fusha e garës, duke krijuar kushtet për zhvillimin e këtij kompeticioni të nivelit të lartë ndërkombëtar.

FIP Platinum konsiderohet një nga kategoritë më prestigjioze të kalendarit ndërkombëtar të Federatës Ndërkombëtare të Padelit (FIP).

Kryeministri Edi Rama ftoi sot sportdashësit të bëhen pjesë e atmosferës festive dhe të ndjekin nga afër ndeshjen finale, e cila pritet të ofrojë spektakël dhe emocione.

“Me ftesën që pas finales së madhe të UEFA Champions League të shijoni finalen e turneut ndërkombëtar të padelit, Fip Platinum Albania sonte në Sheshin Skënderbej”, u shpreh Rama.

Prej pesë ditësh, sheshi “Skënderbej” është kthyer në një “arenë” gare dhe emocionesh, për të gjithë dashamirësit e sportit të padelit.

Si një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive ndërkombëtare, “FIP Platinum Albania” ka sjellë në kryeqytet lojtarë ndërkombëtarë të nivelit të lartë, ndeshje spektakolare dhe një atmosferë festive në zemër të Tiranës.

Gjatë pesë ditëve të aktivitetit, publiku ka pasur mundësinë të ndjekë nga afër përballjet e sportistëve ndërkombëtarë në një arenë të ngritur posaçërisht në qendër të kryeqytetit.

FIP Platinum, niveli më i lartë i CUPRA FIP Tour, konsiderohet një nga turnetë më prestigjioze të padelit në botë, me pjesëmarrjen e sportistëve elitarë dhe një fond çmimesh që varion nga 120 mijë deri në 150 mijë euro, si dhe 300 pikë për renditjen botërore për fituesit.

Sakaq, turneu “FIP Platinum Albania” promovon Shqipërinë si destinacion për evente sportive ndërkombëtare duke sjellë një tjetër aktivitet me rëndësi për turizmin dhe sportin në vend.