TENSIONE DHE IRONI MES KLUBEVE/ Atletico Madridit dhe Barcelona nisin “luftën” në distancë për Alvarez
Atlético Madrid ka reaguar ashpër ndaj zërave që lidhin Julian Alvarez me Barcelonën, duke theksuar se sulmuesi nuk është në shitje. Klubi madrilen ka ironizuar katalanasit me disa postime në rrjetin social “X”, ku ka përdorur fotomontazhe dhe mesazhe satirike për të tallur spekulimet e merkatos.
Tensioni mes Atletico Madrid dhe Barcelonës është ndezur shumë për çështjen e JuliAn Alvarez. Klubi madrilen reagoi publikisht pas raportimeve se Barcelona ka bërë lëvizje për sulmuesin argjentinas, duke mohuar çdo ofertë zyrtare dhe duke theksuar se lojtari nuk është në shitje.
Atletico deklaroi se është shumë i zemëruar me mënyrën si është trajtuar situata në media, duke e cilësuar si një fushatë dezinformimi ndaj klubit dhe lojtarit. Sipas tyre, nuk bëhet fjalë për negociata, ndërsa mesazhi për Barcelonën ishte i drejtpërdrejtë: Julian Alvarez largohet vetëm nëse paguhet klauzola prej 500 milionë eurosh.
Por reagimi më i bujshëm erdhi në rrjetin X, ku Atlético zgjodhi ironinë. Klubi publikoi fillimisht një montazh të Lamine Yamal me fanellën bardhekuqe, duke shkruar se kishte dërguar një “ofertë” te Barcelona: katër bileta për koncertin e Bad Bunny, një abonim vjetor gazete dhe një qese fara luledielli.
Pak më vonë erdhi një tjetër postim ironik për Pedri, ku Atlético shkruante se “pasi u mbaruan biletat për koncertin e së shtunës, oferta u përmirësua me gjashtë bileta për të dielën”.
Klubi vijoi më pas me një tjetër thumb ndaj Barcelonës, këtë herë duke përfshirë Raphinha në një “paketë huazimi”, ndërsa në postime u përmend edhe drejtori sportiv Deco. Në fund Atlético publikoi edhe një video satirike, tashmë të njohur në botën e “meme-ve”, ku shfaqet një qen në një safari, me një mask të vendosur artificialisht si luan, duke e bërë të duket në mënyrë komike si kafshë e egër që sulmon turistët.
Nuk është hera e parë që Atlético de Madridi publikon “meme” të tilla kundër Barcelonës. Edhe më parë, pas eliminimit të Barcelonës nga Liga e Kampionëve, kishte përdorur një video të ngjashme ku ironizonte eliminin e Barcelonës.