Holanda i hap dritën jeshile koncerteve të Kanye West

Pavarësisht protestave të forta, reperi amerikan Kanye West do të lejohet të performojë në Holandë në fillim të qershorit, sipas planit, pasi ministri holandez për Azilin dhe Migracionin, Bart van den Brink, deklaroi sot se nuk ekziston bazë ligjore për t’i ndaluar hyrjen në vend.

Van den Brink, i cili është gjithashtu zëvendëskryeministër, pranoi se parlamenti kishte votuar me shumicë të madhe në favor të ndalimit të hyrjes së West, por theksoi se kjo nuk mjafton për të justifikuar një masë të tillë.

Ministri dënoi deklaratat antisemitike të reperit, i cili tashmë performon me emrin Ye.

Megjithatë, sipas tij, deklaratat e mëparshme nuk përbëjnë arsye të mjaftueshme ligjore për ta ndaluar tani hyrjen e artistit në Holandë. Më herët, koncerte të tij në vende të tjera janë ndaluar ose anuluar.

Qyteti i Arnhemit, pranë kufirit me Gjermaninë, ka dhënë leje për koncertet e reperit 48-vjeçar më 6 dhe 8 qershor.

Kryebashkiaku i qytetit tha se leja mund të revokohet vetëm nëse ekziston një kërcënim për sigurinë publike.

Organizatat hebraike reaguan me indinjatë ndaj vendimit.

“Është e pakuptueshme që Holanda nuk është në gjendje të vendosë një kufi moral për sa i përket personave që u jepet një skenë publike,” deklaroi Naomi Mestrum, drejtoreshë e Qendrës për Informim dhe Dokumentim mbi Izraelin (CIDI).

Britania e Madhe  i ka refuzuar hyrjen muzikantit, ndërsa në Poloni një koncert i planifikuar u anulua nga organizatorët. Vetë West anuloi një performancë në Francë për shkak të rrezikut të ndalimit.

Reperi ka bërë deklarata antisemitike në disa raste, ka publikuar një këngë me titullin “Heil Hitler” dhe ka shitur bluza me simbole naziste.

Pas reagimeve të shumta, ai kërkoi falje për disa prej komenteve të tij dhe ia atribuoi sjelljen e tij një problemi të shëndetit mendor.