Robert De Niro zbulon filmat e tij të preferuar në “Criterion Closet”
Aktori legjendar Robert De Niro ka zbuluar disa nga filmat e tij të preferuar gjatë një vizite në “Criterion Closet”, hapësira e famshme e koleksionit filmik të The Criterion Collection.
Gjatë zgjedhjeve të tij, De Niro veçoi komedinë italiane të vitit 1958 “Big Deal on Madonna Streets” për të cilën u shpreh se ishte një film “i mrekullueshëm”, si dhe klasikët italianë “Mafioso” dhe “Divorce Italian Style”. Ai zbuloi gjithashtu se kishte diskutuar me regjisorin Martin Scorsese mundësinë e një ribërjeje të “Mafioso”.
Mes përzgjedhjeve të tij ishte edhe “Blow-Up” i regjisorit Michelangelo Antonioni, të cilin De Niro e cilësoi si një film artistik që arriti të tërhiqte një publik më të gjerë se zakonisht.
Aktori kujtoi gjithashtu pjesëmarrjen e tij në filmin “One Hundred and One Nights” të regjisores Agnès Varda, ku pati një rol të shkurtër si vetvetja. Ai tregoi se një nga sfidat më të mëdha gjatë xhirimeve ishte të fliste frëngjisht me aktoren Catherine Deneuve.
Në fund, De Niro përmendi se filmi i tij i preferuar i mjeshtrit italian Federico Fellini është “La Dolce Vita”, duke kujtuar emocionin kur e pa Fellinin në premierën e filmit në Nju Jork.
“Criterion Closet” është kthyer në një fenomen mes adhuruesve të kinemasë, ku figura të njohura të industrisë zgjedhin dhe komentojnë filmat që kanë ndikuar më shumë në jetën dhe karrierën e tyre.

