Rusia: BE-ja të paraqesë prova për pretendimet në lidhje me bllokimin e sinjaleve GPS

Ministria e Jashtme e Rusisë ka kërkuar nga vendet evropiane të paraqesin prova për akuzat se Moska po ndërhyn në sinjalet GPS në BE, raportoi “Reuters”.

Zëdhënësja për shtyp, në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Maria Zakharova deklaroi se pretendimet duhet të mbështeten me fakte konkrete, duke theksuar se “deri tani janë vetëm fjalë”.

Më herët, një zyrtar në Lituani tha se Rusia ka aftësinë të falsifikojë sinjale GPS deri në rreth 450 kilometra nga enklava e Kaliningradit.

Që prej pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, disa vende evropiane kanë akuzuar Rusinë për ndërhyrje elektronike, të cilat Moska i ka mohuar, duke i quajtur një fushatë dezinformimi.

Raporte të mëparshme kanë përmendur raste të dyshuara të ndërhyrjeve GPS në avionë, që transportonin zyrtarë evropianë pranë zonës së Kaliningradit.