Teherani dënon sulmet amerikane dhe kritikon kërcënimin e Trump ndaj Omanit
Irani dënoi sot ashpër sulmet ajrore amerikane gjatë natës në jug të vendit, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës se po minonin armëpushimin.
“Teherani është i vendosur t’u përgjigjet sulmeve në bazë të së drejtës për vetëmbrojtje”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei.
Baghaei kritikoi gjithashtu komentet e presidentit amerikan Donald Trump, i cili kishte kërcënuar se do të “shkatërronte” Omanin nëse shteti i Gjirit “nuk sillet si duhet”.
“Omani do të sillet si gjithë të tjerët. Përndryshe do të na duhet t’i hedhim në erë. Ata e kuptojnë këtë”, deklaroi dje presidenti Trump , duke reaguar ndaj raportimeve mediatike për bisedime mes Iranit dhe Omanit mbi rregullimin e përbashkët të Ngushticës së Hormuzit.
Sipas Baghaeit, Omani ka luajtur vazhdimisht një rol “konstruktiv, efektiv dhe të përgjegjshëm për paqen dhe sigurinë në rajon”.
Ai shtoi se kërcënimet me dhunë janë një “shenjë e rrezikshme e normalizimit të paligjshmërisë dhe politikës së forcës”.
Forcat e armatosura iraniane morën kontrollin e Ngushticës strategjike të Hormuzit menjëherë pas shpërthimit të luftës.
Trump ka kërkuar që kjo rrugë kyçe për transportin global të naftës dhe gazit të rihapet menjëherë si pjesë e çdo marrëveshjeje me Teheranin, duke këmbëngulur se ajo nuk duhet të kontrollohet nga një shtet i vetëm.
Aktualisht, shumë pak anije kalojnë përmes korridorit të ngushtë detar midis Iranit dhe Omanit.
Kompanitë detare duhet të bashkërendojnë lëvizjet me autoritetet iraniane dhe lejohen të përdorin vetëm një korridor pranë bregdetit iranian, ndërsa Teherani ka vendosur tarifa të larta tranziti.

