"Stresi në punë po rrit lodhjen mendore te të rinjtë në Shqipëri"/ Psikologia Hida: Ritmi është shumë i lartë

Psikologia Manolita Hida, në një lidhje direkte për Ora News, ka folur për stresin në vendet e punës dhe ndikimin që ai po ka te të rinjtë.

Sipas saj, tregu i punës në disa sektorë po kërkon ritëm shumë të lartë dhe ngarkesë të vazhdueshme, duke lënë pak hapësirë për pushim dhe rikuperim.

Ajo përmend sektorë si call center, teknologjia e informacionit dhe shërbimet e nënkontraktuara, ku punonjësit përballen me presion të përditshëm dhe orare intensive.

“Ka sektorë ku ritmi i punës është shumë i lartë dhe nuk lë hapësirë as për pushime të shkurtra. Kjo sjell lodhje dhe djegie emocionale te të rinjtë.”-u shpreh ajo.

Hida shton se kjo situatë lidhet edhe me mënyrën se si është zhvilluar tregu i punës ndër vite, duke krijuar një mospërputhje mes pritshmërive të të rinjve dhe mundësive reale të punësimit.

“Ka një mospërputhje mes asaj që të rinjtë presin dhe asaj që tregu ofron. Kjo krijon stres, ankth dhe ndjesi lodhjeje të vazhdueshme.”-tha Hida.

Psikologia përmend gjithashtu se shoqëritë që vijnë nga periudha tranzicioni dhe konflikti shpesh trashëgojnë nivele më të larta stresi dhe vështirësi në përballimin emocional, gjë që reflektohet edhe te gjeneratat e reja.

Ajo thekson se mungesa e balancës mes punës dhe jetës personale po bëhet një nga faktorët kryesorë të lodhjes mendore te të rinjtë në vendin e punës.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS: