Grabitja e bujshme në Paris/ Kim Kardashian dorëzon kërkesën për 1 euro kompensim në gjykatë

Kim Kardashian ka kërkuar një euro dëmshpërblim nga personat që e grabitën nën kërcënimin e armës në Paris, në një nga ngjarjet më tronditëse të jetës së saj.

Avokatët e yllit të reality show-t paraqitën kërkesën në një gjykatë civile franceze, duke theksuar se ajo nuk kërkon përfitim financiar, por vetëm një dëmshpërblim simbolik, si shenjë mbylljeje të çështjes.

Grabitja ndodhi në vitin 2016 gjatë Javës së Modës në Paris, kur një grup burrash hynë në dhomën e saj të hotelit, e lidhën dhe e kërcënuan me armë, duke i marrë bizhuteri me vlerë miliona paund.

Mes sendeve të vjedhura ishte edhe një unazë fejese me vlerë rreth 3 milionë paund, dhuratë nga ish-bashkëshorti Kanye West.

Pas një gjyqi të profilit të lartë, disa nga të akuzuarit u liruan, duke marrë parasysh moshën dhe gjendjen shëndetësore. Gjatë seancës, Kardashian dha një dëshmi emocionale duke deklaruar se fal të akuzuarit, por se përvoja ka lënë pasoja të thella psikologjike dhe e ka ndryshuar përgjithmonë jetën e saj.

Në të njëjtin proces, stilistja e saj Simone Bretter kërkoi gjithashtu vetëm një euro dëmshpërblim simbolik, ndërsa recepsionisti i hotelit ku ndodhi grabitja kërkoi rreth 550 mijë euro për trauma psikologjike dhe dëmtime afatgjata.

Hotel “Hôtel de Pourtalès”, ku ndodhi ngjarja, ka kërkuar dëmshpërblim për dëmtim të reputacionit. Vendimi përfundimtar mbi dëmshpërblimet civile pritet të jepet më 15 shtator.