FRANCË/ Një nismë e re u kërkon fëmijëve të rrinë 10 ditë larg ekraneve
Në mbarë Francën, fëmijëve po u kërkohet të lënë tabletët, të fikin pajisjet e e lojërave dhe të largohen nga ekranet e tyre.
Nisma, e quajtur ”Dix Jours Sans Écrans” (”Dhjetë ditë pa ekrane”), përfshin shkolla, kopshte dhe komunitete të tëra.
Por, a është një sfidë realiste në një epokë ku teknologjia është pjesë e pandashme e jetës së përditshme?
Sipas ekspertëve, përdorimi i tepërt i ekraneve mund të ndikojë negativisht në gjumin, përqendrimin dhe shëndetin fizik të fëmijëve, pasi i bën ata më pak aktivë.
Gjithashtu, mund të ngadalësojë zhvillimin social dhe emocional, duke kufizuar ndërveprimet reale me familjen dhe bashkëmoshatarët.
Elizabeth Milovidov, këshilluese për prindërimin digjital me qendër në Britaninë e Madhe, thotë se aktivitetet më të mira për të zëvendësuar kohën para ekranit janë shpesh më të thjeshtat. Ajo rekomandon rikthimin e lojërave të tavolinës, aktiviteteve artistike dhe punimeve me dorë, si dhe gatimin në familje.
Sipas saj, prindërit nuk duhet të kenë frikë t’i lënë fëmijët të përjetojnë mërzinë.
Ajo argumenton se momentet kur fëmijët nuk kanë një ekran përpara mund të nxisin imagjinatën, krijimtarinë dhe aftësinë për të gjetur vetë mënyra argëtimi.
Milovidov u ofron prindërve dhe kujdestarëve këshilla praktike për të krijuar një ekuilibër mes teknologjisë moderne dhe një jete familjare më të shëndetshme.
Kjo përfshin vendosjen e kufijve të qartë për përdorimin e pajisjeve elektronike, organizimin e aktiviteteve të përbashkëta familjare dhe krijimin e periudhave të caktuara gjatë ditës pa telefona, kompjuterë apo televizorë.
Nisma franceze synon të nxisë familjet të reflektojnë mbi rolin që ekranet luajnë në jetën e tyre dhe të zbulojnë përfitimet e aktiviteteve që forcojnë komunikimin, lëvizjen fizike dhe lidhjet sociale.
Edhe pse dhjetë ditë pa ekrane mund të duken një sfidë e vështirë, organizatorët besojnë se kjo eksperiencë mund të ndihmojë familjet të krijojnë zakone më të shëndetshme edhe pas përfundimit të saj.

