Një radio britanike njofton gabimisht vdekjen e… mbretit Charles?!
Një stacion radiofonik në Britaninë e Madhe ka kërkuar falje pasi njoftoi gabimisht se mbreti Charles III kishte ndërruar jetë.
Radioja “Radio Caroline , me seli në Essex, bëri të ditur në rrjetet sociale se njoftimi i pasaktë ishte transmetuar dje pasdite si pasojë e një “gabimi kompjuterik” në studion e saj qendrore.
Sot pasdite, regjistrimi i transmetimeve të së martës, nga ora 13:58 deri në 17:00, nuk ishte i disponueshëm në faqen e internetit të radios.
Menaxheri i stacionit, Peter Moore, shkroi në Facebook se, për shkak të një defekti kompjuterik, u aktivizua gabimisht procedura që mediat britanike mbajnë të gatshme për rastin e vdekjes së një monarku.
“Për shkak të një gabimi kompjuterik në studion tonë kryesore, procedura për vdekjen e një monarku, të cilën të gjitha radiot britanike e mbajnë të përgatitur, u aktivizua aksidentalisht dje pasdite (19 maj), duke njoftuar gabimisht se Madhëria e Tij, mbreti, kishte ndërruar jetë”, tha ai.
Sipas Moore, pas transmetimit të njoftimit radioja ndërpreu programin, siç parashikohet nga procedura zyrtare, gjë që alarmoi stafin dhe çoi në rikthimin e menjëhershëm të transmetimeve normale dhe në publikimin e një kërkimfaljeje në transmetim.
Radioja kërkoi falje si ndaj mbretit Charles ashtu edhe ndaj dëgjuesve për shqetësimin e shkaktuar. /ATSH

