SEKRETET E OQEANIT/ Shkencëtarët zbulojnë mbi 1100 specie të panjohura në dete
Më shumë se 1 mijë specie të reja detare janë zbuluar gjatë vitit të fundit nga shkencëtarë. Mes tyre janë peshkaqenë fantazmë, sfungjerë mishngrënës dhe krijesa që jetojnë në thellësitë më ekstreme të oqeanit. Ekspertët paralajmërojnë se shumë specie rrezikojnë të zhduken para se të studiohen plotësisht.
Thellësitë e oqeanit vazhdojnë të fshehin krijesa që duken sikur vijnë nga një botë tjetër.
Shkencëtarët e projektit ndërkombëtar “Ocean Census” kanë zbuluar mbi 1 mijë e 100 specie të reja detare vetëm gjatë vitit të fundit.
Mes zbulimeve më të pazakonta është një i ashtuquajtur “peshkaqen fantazmë”, i gjetur në brigjet e Australisë, në më shumë se 800 metra thellësi. Kjo krijesë konsiderohet një nga linjat më të vjetra evolucionare të oqeanit, me origjinë që daton qindra miliona vite më parë.
Në thellësitë e Atlantikut Jugor, studiuesit zbuluan edhe një sfungjer mishngrënës, të quajtur “topi i vdekjes”. Ai përdor grepa mikroskopikë për të kapur organizmat që kalojnë pranë dhe më pas i përpin.
Një tjetër specie e rrallë është një krimb që jeton brenda një sfungjeri transparent prej silici, të cilin shkencëtarët e përshkruajnë si një “kështjellë qelqi” nën ujë.
Ekspertët thonë se oqeanet mbeten ndër ekosistemet më pak të eksploruara në planet, ndërsa ndryshimet klimatike, ndotja dhe planet për minierat nënujore po rrisin rrezikun për zhdukjen e shumë specieve ende të pastudiuara.
Sipas Shkencëtarëve bota po hyn në një garë me kohën për të zbuluar dhe mbrojtur jetën detare përpara se ajo të humbasë përgjithmonë.