“Vetëm 16 vjeçe, vajza e Tyson Fury martohet në fshehtësi"/ Ceremoni luksoze që ndez debat
Vajza e boksierit të njohur Tyson Fury, Venezuela Fury, ka kurorëzuar dashurinë me partnerin e saj Noah Price në një ceremoni private dhe luksoze të mbajtur në Isle of Man, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e mediave dhe publikut për shkak të moshës së saj të re.
16-vjeçarja u shfaq në dasmë me një fustan madhështor nusërie me bisht rreth 15 metra, ndërsa 19-vjeçari Noah Price kishte zgjedhur një kostum klasik elegant për ditën e rëndësishme.
Ceremonia u zhvillua në një ambient privat dhe shumë luksoz, ku morën pjesë edhe 18 shoqëruese të nuses, mes tyre familjarë të afërt të familjes Fury. Në dasmë ishin të pranishëm edhe Tyson Fury dhe bashkëshortja e tij Paris Fury, të cilët e mbështetën publikisht vajzën e tyre në këtë hap të madh.
Sipas mediave britanike, ceremonia u mbajt në Isle of Man, një territor ku martesa lejohet nga mosha 16 vjeç me miratimin e prindërve , gjë që e bëri të ligjshme këtë bashkim.

Historia e çiftit kishte tërhequr vëmendje edhe më herët, pasi Venezuela ishte fejuar gjatë festës së saj të 16-vjetorit vitin e kaluar. Në atë kohë, nëna e saj kishte shprehur krenari në rrjete sociale për vendimin e vajzës.
Megjithatë, martesa e hershme ka ndezur debat të gjerë online, me shumë përdorues që kanë diskutuar mbi moshën e çiftit dhe traditat e komunitetit të tyre, duke e kthyer ngjarjen në një nga temat më të komentuara të momentit në mediat britanike dhe rrjetet sociale.

