Musk 'mposhtet' nga OpenAI/ Humb betejën ligjore ndaj CEO-së, Sam Altman
Elon Musk ka humbur betejën ligjore kundër OpenAI dhe CEO-së së saj Sam Altman, pasi juria vendosi se padia ishte paraqitur shumë vonë dhe pretendimet nuk mund të shqyrtoheshin në themel.
Musk kishte akuzuar Altman se kishte ndryshuar natyrën e OpenAI nga një organizatë jofitimprurëse në një kompani fitimprurëse, duke shkelur sipas tij marrëveshjen fillestare. Ai kishte investuar rreth 38 milionë dollarë në fazat e para të kompanisë.
Në proces u shqyrtuan edhe akuzat e tij ndaj Microsoft-it për bashkëpunim me OpenAI në këtë transformim, por edhe këto pretendime u rrëzuan pas vendimit për afatin ligjor të çështjes.
Gjatë gjykimit, juria dëgjoi dëshmi nga Musk, Altman dhe drejtues të tjerë të teknologjisë, përfshirë edhe CEO-n e Microsoft, Satya Nadella, ndërsa shqyrtoi dokumente dhe komunikime të brendshme për disa javë.
Pas vendimit, Musk reagoi në rrjetin social X, duke e quajtur çështjen të bazuar në një “teknikalitet ligjor” dhe duke bërë të ditur se do ta apelojë vendimin.
Sipas jurisë, afati ligjor për ngritjen e padisë kishte kaluar, ndaj nuk u shqyrtua përmbajtja e plotë e pretendimeve të tij.

