Droni hyn në hapësirën ajrore të Estonisë/ Avionët e NATO-s ndërhyjnë menjëherë
Një avion luftarak i NATO-s ka rrëzuar një dron që kishte hyrë në hapësirën ajrore të Estonisë, në një incident të konfirmuar nga autoritetet estoneze.
Ministri i Mbrojtjes së Estonisë, Hanno Pevkur, ka bërë të ditur se droni është pikasur duke hyrë në territorin ajror të vendit dhe më pas është neutralizuar mbi zonën e liqenit Võrtsjärv nga avionë luftarakë të NATO-s të dislokuar në rajonin baltik.
Sipas tij, ngjarja ka përfunduar pa probleme dhe situata është vënë nën kontroll.
Raportimet tregojnë se droni dyshohet të ketë qenë ukrainas, ndërsa rasti është pjesë e një serie shkeljesh të hapësirës ajrore në vendet kufitare me Rusinë.
Sipas të dhënave të mëparshme, që nga muaji mars janë regjistruar disa hyrje të dronëve ushtarakë në hapësirat ajrore të vendeve anëtare të NATO-s si Finlanda, Letonia, Lituania dhe Estonia.
