“Cavallini”, rrjeti sekret që furnizon Zvicrën me ko*ainë shqiptare
Duke u mbështetur te një rrjet shpërndarësish të rinj dhe te produktet cilësore me çmime të ulëta, mafia shqiptare ka pushtuar tregun e kokainës në Ticino.
Në jug të Alpeve, kjo bollëk droge po sjell pasoja shkatërruese dhe po reflektohet veçanërisht në një rritje të ndjeshme të arrestimeve.
Më 29 prill në Capolago, një shqiptar 24-vjeçar u arrestua me 54 gramë kokainë. Dhe ky është vetëm një rast i fundit në një seri të gjatë episodesh të ngjashme.
Në vitin 2025, 122 persona janë arrestuar në Ticino për trafik droge, krahasuar me 78 në vitin 2024 (+56%). Tashmë, gjysma e të burgosurve në burgjet e Ticinos janë të ndaluar për vepra të lidhura me narkotikët.
Një valë e heshtur
Mafia shqiptare ka pushtuar tregun e Ticinos falë një rrjeti shpërndarësish të rinj, të ashtuquajturit “cavallini”, fjalë për fjalë “kuajt e vegjël”. Shpesh të papunë, këta të rinj mbërrijnë nga Shqipëria në Itali me avion ose tren dhe më pas hyjnë në Ticino, zakonisht me makina me qira.

Ata qëndrojnë në Zvicër vetëm për disa muaj, aq sa të shpërndajnë drogën që u jep organizata, kundrejt një page mujore prej 500 deri në 1000 frangash, të cilat i shpenzojnë ose ua dërgojnë familjeve të tyre. Fitimet nga trafiku, ndërkohë, përfundojnë te organizata kriminale.
“‘Cavallini’ janë pjesë e një rrjeti që është krijuar me kalimin e kohës. Është një organizatë kriminale e vërtetë, shumë e strukturuar, duhet pranuar. Ata vijnë dhe largohen.
Qëndrojnë këtu pak kohë, vetëm disa muaj. Kështu, nëse policia arreston një shpërndarës, arreston vetëm atë”, shpjegon për mediat zvicerane “RSI” një përdorues afatgjatë i drogës, i takuar në parkun Ciani në Lugano.
Pjesa tjetër mbështetet te omerta-ja, rregulli i heshtjes që karakterizon mafian shqiptare. Dhe strategjia po funksionon.
“Sot këta shpërndarës operojnë në të gjithë kantonin, deri në rajonin e Locarnos, ku nuk i shihnim ende disa vite më parë”, shpjegon komisari Paolo Lopa, drejtues i seksionit antidrogë në policinë kantonale.
Receta e suksesit
Cili është sekreti?
“Një kokainë me cilësi superiore, me pastërti nga 60% deri në 80%, e shitur me çmime relativisht të ulëta”, shprehet Paolo Lopa, duke shtuar “ky është ligji i tregut. Sot askush nuk është në gjendje të konkurrojë dhe të ofrojë një produkt të kësaj cilësie me këtë çmim.”
Në Ticino, mafia shqiptare nuk pushton lagje apo territore. Ajo depërton në mënyrë diskrete në shtëpitë e konsumatorëve, duke shfrytëzuar dobësitë dhe varësitë e tyre.
“Afrimi mes shpërndarësit dhe personit që do ta strehojë ndodh në tre faza”, shpjegon Marcello Cartolano, zv/drejtor i Ingrado-s, qendra e Ticinos për trajtimin e alkoolizmit dhe varësive të tjera. Sipas tij, shitësit përfitojnë nga brishtësia dhe izolimi i personave.
“Më pas kërkojnë strehim në këmbim të drogës falas. Në fund krijojnë një marrëdhënie varësie totale ndaj substancës.
Shpesh janë gra ato që strehojnë shpërndarësit në banesat e tyre.
Për disa persona, të kesh një djalë të ri në shtëpi përfaqëson edhe një formë lidhjeje emocionale dhe sociale”, thekson më tej Marcello Cartolano.
Pasoja dramatike
Në Ticino, sasia e madhe e kokainës ka sjellë edhe rritje të konsumit të crack-ut, një derivat i kësaj droge.
Raporti i vitit 2025 i Ingrado-s dokumenton fenomenin: projekti “Pipe crack”, një nismë për reduktimin e dëmeve, shpërndau 2624 komplete për 203 konsumatorë, një rritje prej 41% krahasuar me vitin e kaluar.
“Kokaina e tymosur krijon varësi jashtëzakonisht të shpejtë”, thekson Marcello Cartolano.
“Pas pesë deri në dhjetë minutash, efektet zhduken, por personi ndien një dëshirë të pakontrollueshme për të vazhduar. Kjo mund të sjellë sjellje shumë të paparashikueshme, si edhe agresivitet ndonjëherë të dhunshëm.”
Kjo mund të ketë pasoja dramatike.
Natën mes 27 dhe 28 janarit në Bellinzona, një i ri i varur nga droga vrau me thikë nënën e tij 46-vjeçare dhe plagosi rëndë partnerin e saj. Një ngjarje që tronditi opinionin publik.
“Ky është një sinjal alarmi. Personat humbasin kontrollin dhe përfundojnë plotësisht nën ndikimin e substancës”, paralajmëron Marcello Cartolano.
Fenomeni është edhe më i vështirë për t’u luftuar sepse, për personat e varur, shpërndarësit shpesh nuk perceptohen si kriminelë, por si njerëz që u japin përgjigje boshllëqeve ekzistenciale.
“Sot janë shqiptarë. Dhe fatmirësisht që janë këtu, edhe pse këta shpërndarës janë maskarenj. Sepse varësitë ekzistojnë, kanë ekzistuar gjithmonë. Ata bëjnë biznesin e tyre. Nëse nuk janë ata, do të jetë dikush tjetër. Ekziston një mungesë, ka njerëz që vuajnë. Shumë mendojnë se kjo nuk është e vërtetë, por në realitet është pikërisht kështu”, shprehet përdoruesi për median zvicerane.


