"Zbulohet bashkëpunimi mes Pekinit dhe Moskës"/ Reuters: Kina trajnoi fshehurazi ushtarë rusë për luftën në Ukrainë
Sipas një raporti të publikuar nga Reuters, Kina ka trajnuar në fshehtësi rreth 200 ushtarë rusë në fund të vitit të kaluar, ndërsa disa prej tyre më pas janë rikthyer për të marrë pjesë në luftën në Ukrainë.
Informacioni bazohet në burime të inteligjencës evropiane dhe dokumente të siguruara nga agjencia ndërkombëtare e lajmeve.
Trajnimet janë zhvilluar në objekte ushtarake në Pekin dhe në qytetin lindor të Nanjingut dhe janë përqendruar kryesisht te përdorimi i dronëve dhe taktikat operative në terren.
Marrëveshja mes palës ruse dhe kineze është nënshkruar në korrik të vitit 2025 nga zyrtarë të lartë ushtarakë të të dy vendeve.
Dokumentet tregojnë gjithashtu se edhe ushtarë kinezë do të trajnohen në baza ushtarake në Rusi, si pjesë e bashkëpunimit të zgjeruar mes dy shteteve.
Ky zhvillim po shihet me shqetësim nga vendet evropiane, të cilat prej kohësh po monitorojnë afrimin gjithnjë e më të madh mes Moskës dhe Pekinit.
Sipas burimeve të inteligjencës, përfshirja e Kinës në trajnimin e ushtarëve rusë tregon një rol më aktiv në konfliktin në Ukrainë nga sa ishte menduar më parë.
Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Kinës ka përsëritur se Pekini mban një qëndrim neutral ndaj luftës në Ukrainë dhe se mbështet dialogun dhe bisedimet për paqe. Kina ka kundërshtuar akuzat për përfshirje direkte në konflikt dhe ka kërkuar që të mos krijohen tensione të reja ndërkombëtare.
Marrëdhëniet mes Kinës dhe Rusisë janë forcuar ndjeshëm që nga fillimi i luftës në Ukrainë në vitin 2022. Të dy vendet kanë zhvilluar stërvitje të përbashkëta ushtarake dhe kanë zgjeruar bashkëpunimin ekonomik, sidomos në sektorin e energjisë, ku Kina ka rritur blerjet e naftës, gazit dhe qymyrit rus.

