Zukali jep detaje nga m*sakra në Turqi: 6 të vr*rë dhe 8 të plagosur, autori në arrati pas kr*mit të pasionit

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Turqinë, ku një sulm i armatosur ka lënë pas gjashtë persona të vrarë dhe tetë të tjerë të plagosur.

Ngjarja, e cila filloi si një krim pasioni, u shndërrua në një masakër teksa autori qëlloi pa dallim mbi qytetarë të pafajshëm. Autoritetet po vijojnë një operacion të gjerë kërkimi për kapjen e autorit, i cili është ende në arrati.

Sipas informacioneve të para, autori i identifikuar si Metin Uztürk, 37 vjeç, fillimisht ka takuar ish-bashkëshorten e tij, me të cilën ishte ndarë. Pas një konflikti, ai e ka qëlluar për vdekje me një armë gjahu tip "pompë". Pas këtij akti, ai është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, duke nisur një fushatë terrori.

Për të folur më tepër në lidhje me këtë ngjarje, në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora News", ishte Boran Zukali, gazetar turqi, i cili u shpreh se i arratisuri, Uztürk ka vijuar sulmin e tij duke qëlluar mbi njerëz të rastësishëm që nuk kishin asnjë lidhje me të. Viktimat e tij përfshijnë një bari 16-vjeçar, dy persona në një pikë karburanti dhe një tjetër viktimë rreth 50 vjeç në një restorant.

Bilanci tragjik flet për gjashtë të vrarë dhe tetë të plagosur, të cilët ishin të gjithë të pafajshëm dhe pa asnjë lidhje familjare apo shoqërore me agresorin.

" Këto detajet sot na erdhën të fundit. Deri tani ka tetë persona të plagosur, gjashtë persona të vdekur 

Ky problem filloi nga Metin Uztürk. 37 vjeçari ishte ndarë nga gruaja. Bënë një takim edhe atje ky e sulmoi, e vrau me një pushkë.

Pas asaj rastësisht një djalosh po kulloste bagëtitë, 16 vjeç, edhe atë e vrau. Bëri një hyrje në stacionin e benzinit, atje dy veta vrau.

Pastaj një restorant, vrau një 50 vjeçare. Në total vrau tetë persona edhe këta tetë persona nuk kanë lidhje me këtë personin, asnjë afërsi, asnjë familjarisht një lidhje.

Zona shumë është tronditur sepse personi kur i ka sulmuar të gjithë atë zonën është larguar edhe e ka lënë makinën, veturën në atë zonë", u shpreh Zukali.