Besëlidhja shpallet kampione e Shqipërisë në basketboll për meshkuj, hera e tretë radhazi
Besëlidhja u shpall kampione e Shqipërisë në basketboll për meshkuj për edicionin 2025-2026. Lezhjanët triumfuan edhe në finalen e tretë ndaj Tiranës me rezultatin 103-84, duke mbyllur serinë finale me shifrat e pastra 3-0.
Skuadra e drejtuar nga Afrim Bilali tregoi superioritet gjatë gjithë serisë finale. Takimi i tretë nisi i ekuilibruar, me Besëlidhjen që fitoi periodën e parë 24-23. Lezhjanët ruajtën ritmin edhe në periodën e dytë dhe e mbyllën pjesën e parë në avantazh 54-49.
Në pjesën e dytë, Tirana provoi të rikthehej në lojë, ndërsa perioda e tretë u mbyll në barazim 21-21. Megjithatë, në 10 minutat e fundit Besëlidhja dominoi lojën, duke thelluar diferencën dhe vulosur fitoren me rezultatin përfundimtar 103-84.
Lezhjanët shpallen kampionë të Shqipërisë për të tretin sezon radhazi. Këtë vit Besëlidhja ka fituar edhe Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë.
