Operacion i madh në BE dhe SHBA/ EUROPOL shënjestron postime propagandistike të Gardës Revolucionare të Iranit
EUROPOL dhe Agjencia për Zbatim të Ligjit e Bashkimit Evropian, së bashku me 19 shtete, kanë ndërmarrë një operacion të koordinuar kundër përmbajtjes online të lidhur me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC).
Sipas EUROPOL-it, në këtë aksion janë identifikuar dhe shënjestruar rreth 14.200 postime në internet që dyshohet se janë përdorur për propagandë, rekrutim dhe mbledhje fondesh.
Operacioni është zhvilluar në periudhën 13 shkurt-28 prill dhe ka përfshirë vende nga Evropa dhe SHBA-ja, përfshirë edhe disa shtete të rajonit si Bosnjë e Hercegovina, Bullgaria dhe Greqia.
Autoritetet kanë verifikuar dhe ndjekur përmbajtje të shpërndarë në platforma të ndryshme, përfshirë rrjetet sociale, faqe blogjesh dhe faqe të pavarura, në disa gjuhë si anglisht, arabisht, frëngjisht dhe persisht.
Sipas EUROPOL-it, kjo përmbajtje është përdorur për të shpërndarë mesazhe politike dhe fetare, si dhe materiale propagandistike që mbështesin Gardën Revolucionare dhe bëjnë thirrje për hakmarrje pas zhvillimeve të fundit në rajon.
Gjatë operacionit janë identifikuar edhe rrjete online dhe transaksione me kriptovaluta që dyshohet se janë përdorur për të mbështetur dhe zgjeruar aktivitetin e tyre në internet.
Pas verifikimeve, disa llogari dhe përmbajtje janë bllokuar ose hequr nga platformat, ndërsa hetimet për raste të tjera vijojnë.
EUROPOL bën të ditur se Garda Revolucionare Iraniane vazhdon të ketë një prani të gjerë në internet dhe përdor struktura të ndryshme për të shpërndarë mesazhet e saj në mënyrë të organizuar.

