NË KËRKIM TË UNIFIMIT TË DIPLOMACISË/ Evropa kërkon përfaqësues për negociatat me Rusinë

Volodymyr Zelenskyy i ka bërë thirrje vendeve të Bashkimit Evropian të zgjedhin një përfaqësues të vetëm për negociatat e mundshme të paqes me Rusinë. Pas një bisede me presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa, ai theksoi nevojën për një rol më të unifikuar dhe të koordinuar të Evropës në procesin diplomatik. Deklarata vjen në një moment përshkallëzimi të luftës në Ukrainë dhe rritje të tensioneve ushtarake në front.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u bëri thirrje vendeve evropiane të zgjedhin një përfaqësues të vetëm për negociatat e mundshme të paqes me Rusinë.

Pas një bisede me presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, Zelenskyy deklaroi se Evropa duhet të ketë një rol të fortë dhe të koordinuar në çdo proces negociues me Moskën.

SINKRON: Evropa duhet të përfshihet në negociata dhe të ketë një zë dhe prani të fortë në këtë process.

Deklarata vjen në një moment kur sulmet mes Ukrainës dhe Rusisë janë përshkallëzuar ndjeshëm. Ukraina kreu sulme hakmarrëse ndaj objektivave strategjike ruse, përfshirë zonat pranë Moskës, ku sipas raportimeve humbën jetën të paktën katër persona.

Gjatë natës, Rusia nisi mbi 500 dronë dhe rreth 20 raketa kundër Ukrainës, duke rritur frikën për një fazë edhe më intensive të luftës.

Presidenti ukrainas kërkoi nga partnerët evropianë të forcojnë mbrojtjen ajrore dhe të shtojnë mbështetjen ushtarake për Kievin.

Ndërkohë, brenda Bashkimit Evropian po shtohen diskutimet mbi figurën që mund të përfaqësojë interesat evropiane në negociata të ndërlikuara me Kremlinin.

Edhe pse BE-ja ka disa institucione dhe drejtues kryesorë, ende nuk ekziston një figurë unifikuese që të marrë drejtimin diplomatik në një proces të tillë.