FATURA E KRIPUR E L*FTËS/ Konflikti SHBA-Izrael me Iranin me humbje miliardëshe për bizneset
Lufta mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit ka shkaktuar humbje mbi 25 miliardë dollarë për kompanitë në mbarë botën. Qindra biznese po përballen me rritje të kostove, teksa bllokimi iranian i Ngushticës së Hormuzit ka ndikuar drejtpërdrejt në tregtinë globale të naftës dhe gazit. Ekspertët paralajmërojnë se ndikimi i plotë ekonomik ende nuk është reflektuar në rezultatet financiare të kompanive.
Përplasja ushtarake mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit po shkakton pasoja të rënda për ekonominë globale. Sipas një analize të Reuters, lufta i ka kushtuar deri tani kompanive ndërkombëtare të paktën 25 miliardë dollarë, ndërsa dëmet vazhdojnë të rriten.
Qindra kompani në Shtetet e Bashkuara, Europë dhe Azi kanë raportuar rritje të kostove të prodhimit, probleme në transport dhe ndërprerje të zinxhirëve të furnizimit. Të paktën 279 kompani kanë ndërmarrë masa emergjente për të kufizuar humbjet, përfshirë rritjen e çmimeve, uljen e prodhimit, pezullimin e dividendëve dhe reduktimin e stafit.
Një nga goditjet më të mëdha ka ardhur nga bllokimi iranian i Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të energjisë në botë. Çmimi i naftës ka kaluar mbi 100 dollarë për fuçi, duke u rritur më shumë se 50 për qind krahasuar me periudhën para konfliktit.
Sektori i aviacionit rezulton ndër më të goditurit, me humbje të vlerësuara në rreth 15 miliardë dollarë për shkak të dyfishimit të kostos së karburantit të avionëve. Kompani të mëdha si Tojota, Procter & Gamble dhe McDonald's kanë paralajmëruar ndikime të forta financiare në muajt e ardhshëm.
Prodhuesi japonez Tojota parashikon humbje prej mbi 4 miliardë dollarësh, ndërsa Procter & Gamble vlerëson se fitimet e saj do të ulen me rreth 1 miliard dollarë pas taksave. Edhe kompanitë industriale europiane paralajmërojnë presion në rritje për shkak të shtrenjtimit të lëndëve të para dhe energjisë.
Ekspertët ekonomikë paralajmërojnë se ndikimi real i luftës ende nuk është reflektuar plotësisht në rezultatet financiare të kompanive, teksa rritja e vazhdueshme e çmimeve të energjisë dhe inflacioni mund të dobësojnë më tej kërkesën konsumatore dhe të ngadalësojnë ekonominë globale gjatë muajve në vijim.
