DUBAI, PLAZHI VETEM PER GRA/ Zona private garanton siguri dhe privatësi të plotë

Dubai ka inauguruar plazhin e parë privat në botë ekskluzivisht për gra, i cili funksionon 24 orë në ditë. Në këtë zonë ndalohen burrat dhe fotografitë, ndërsa autoritetet premtojnë siguri dhe privatësi maksimale për vizitorët.

Dubai ka hapur plazhin e parë privat në botë vetëm për gra, një projekt unik që synon të kombinojë turizmin luksoz me privatësinë dhe sigurinë maksimale për femrat.

Plazhi, do të funksionojë 24 orë i hapur, duke mirëpritur si banoret vendase, ashtu edhe turiste nga vende të ndryshme të botës.

Autoritetet kanë vendosur masa të rrepta për të garantuar privatësinë. Fotografimi është plotësisht i ndaluar, ndërsa e gjithë zona monitorohet me sisteme inteligjente sigurie.

Një tjetër veçori e këtij plazhi është se i gjithë stafi përbëhet vetëm nga gra nga rojet e sigurisë deri tek rojet bregdetare dhe punonjëset e shërbimit. Gjithashtu, është krijuar edhe një hapësirë e dedikuar për fëmijët.

Sipas qeverisë së Dubait, projekti është pjesë e një investimi më të madh prej rreth 700 milionë eurosh për zhvillimin e plazheve publike dhe turizmit në qytet.

Ndryshe nga zonat e tjera në Emiratet e Bashkuara Arabe që lejojnë akses për gratë vetëm në ditë të caktuara, ky është plazhi i parë që ofron qasje të plotë dhe ekskluzive për gra gjatë gjithë kohës.

Me një sipërfaqe prej 125 mijë metrash katrorë, autoritetet presin që projekti të tërheqë miliona vizitore çdo vit dhe ta kthejë Al Mamzar në një nga destinacionet më të veçanta turistike në rajon.