Irani i dërgon Uashingtonit propozime të reja përmes Pakistanit
Në një kohë kur negociatat mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbeten të bllokuara, Teherani njoftoi sot se i ka dërguar sërish propozime të reja Uashingtonit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Ismail Baghai deklaroi për gazetarët, se Irani i ka përcjellë dje qëndrimet e tij, përmes ndërmjetësve në Pakistan. Përmbajtja e këtyre propozimeve nuk është bërë ende publike.
Ndërkohë, në Uashington, presidenti amerikan, Donald Trump përsëriti dje në mbrëmje paralajmërimet e tij ndaj Iranit përmes platformës “Truth Social”, duke shkruar se “koha po mbaronte dhe se Irani duhej të lëvizte shpejt, përndryshe nuk do të mbetej asgjë”.
Baghai shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin dorëzuar më herët, një përgjigje ndaj propozimeve të mëparshme iraniane, të cilat Trump i kishte hedhur poshtë publikisht si “plotësisht të papranueshme”.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve “Fars”, Uashingtoni ka paraqitur një propozim të ri që përfshin kërkesa të mëtejshme ndaj Teheranit. Megjithatë, palët mbeten thellësisht të ndara në qëndrimet e tyre.
Raportet tregojnë se SHBA-ja do të pranonte një ndalim afatgjatë të luftimeve vetëm nëse arriheshin rezultate konkrete në negociata.
Irani, nga ana e tij, kërkon që çdo proces negociues të kushtëzohet me ndalimin e ofensivës izraelite në Liban – si parakusht për bisedime të mëtejshme.
Mospajtimet mbeten veçanërisht të thella rreth programit bërthamor iranian.
Sipas raportimeve të “Fars”, propozimi amerikan parashikon që Irani të dorëzojë rreth 400 kilogramë uranium të pasuruar në SHBA, duke lejuar megjithatë vazhdimin e funksionimit të objektit bërthamor.
Irani aktualisht nuk pranon të negociojë mbi programin e tij bërthamor.
Saktësia e informacionit të publikuar nga “Fars” nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.

