Stacionet e plazhit, lidhja e kontratave të qirave për sezonin 2026 shtyhet deri në fund të qershorit

Qeveria miratoi disa ndryshime në vendimin “Për miratimin e rregullores për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”, duke shtyrë afatin për lidhjen e kontratave të qirasë deri në fund të muajit qershor.

Agjencia për Media dhe Informim solli në vëmendje se në vendimin e qeverisë përcaktohet se në rast se ndryshojnë kapacitetet e strukturave akomoduese, kontratat do të mund të ndryshohen vetëm me dakordësinë e të dyja palëve.

Sipas qeverisë, ky vendim është marrë për një koordinim më të mirë të institucioneve dhe me pushtetin vendor si dhe uljen e konflikteve dhe përplasjeve për hapësirat bregdetare.

Në bazë të rregullores së re të stacioneve të plazheve për sezonin turistik të këtij viti, qeveria ka përcaktuar se çmimet tavan të stacioneve të plazheve i përcakton pushteti vendor, një mënyrë kjo për të shmangur abuzimin me çmimet e çadrave dhe shezlongëve.

Stacione plazhi kanë të drejtë të kenë vetëm strukturat akomoduese, dhe ato janë të përcaktuara në varësi të kapaciteteve të hoteleve.

Nga ky rregull përjashtohen disa plazhe si Divjaka, Spilleja, Gjiri i Lalzit, Zvërnec, Lukova, Borshi, etj që u njihet e drejta të kenë stacion plazhi dhe subjektet që janë të regjistruara si struktura shërbimi, bare apo restorante.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen ministria përgjegjëse për Turizmin, Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.