Shembet ura në Peqin, izolohen 9 fshatra
Moti i keq ka sjellë probleme në qarkun e Elbasanit, ku në Njësinë Administrative Karinë të bashkisë Peqin është shembur ura tip “Bailey” në fshatin Sinaballaj, duke izoluar 9 fshatra të zonës, si edhe disa zona të Rrogozhinës.
Fatmirësisht, nga shembja e urës nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme në mjete. Dyshohet se shkak është bërë kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë gjatë natës, ndërsa reshjet e shiut dhe kushtet e rënduara atmosferike kanë ndikuar më tej në situatë.
Si pasojë e dëmtimit të urës, qarkullimi në zonë është ndërprerë, ndërsa autoritetet kanë nisur punën për krijimin e një kalimi të përkohshëm pranë saj, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të lëvizjes së banorëve dhe automjeteve.
Ndërkohë, reshjet e shiut kanë përfshirë rreth mesditës të gjithë qarkun e Elbasanit, kryesisht me intensitet të ulët, por të shoqëruara me erë të fortë dhe në disa zona me rrebeshe shiu.
Problematika janë shfaqur edhe në kthesat e Dragostunjës, ku rreth orës 14:00 pati rënie inertesh dhe aluvionesh në rrugë. Situata shkaktoi vetëm ngadalësim të lëvizjes së automjeteve, pa sjellë ndërprerje të qarkullimit.
Pavarësisht motit të paqëndrueshëm, akset rrugore nacionale në qarkun e Elbasanit vijojnë të mbeten të hapura për qarkullimin e mjeteve.

