VIDEO/ Magji e Semeyo-s në "Wembley", Manchester City fiton FA Cup përballë Chelsea-t

Manchester City ka fituar finalen e FA Cup ndaj Chelsea-t me rezultatin minimal 1-0, falë një momenti vendimtar të Antoine Semenyo në stadiumin “Wembley”.

Skuadra e Pep Guardiolës e nisi ndeshjen duke dominuar zotërimin e topit dhe duke krijuar disa raste të rrezikshme, por pa arritur të konkretizonte në minutat e para. Semenyo ishte aktiv që në fillim, megjithëse dy tentativat e tij u bllokuan nga mbrojtja e Chelsea-t.

Chelsea gjithashtu pati momentet e veta, por nuk arriti të shqetësonte seriozisht portierin kundërshtar. Një gol i anuluar për Manchester City-n në pjesën e parë, për shkak të pozicionit jashtë loje, mbajti rezultatin të pandryshuar deri në pushim.

Në pjesën e dytë, loja u bë më e hapur, me raste në të dyja anët. Chelsea rriti presionin, por pa saktësi në finalizim, ndërsa City kërkoi me këmbëngulje golin e epërsisë.

Momenti vendimtar erdhi në minutën e 72-të, kur një aksion i Erling Haaland-it u finalizua me një prekje të zgjuar nga Semenyo, i cili devijoi topin në mënyrë të shkëlqyer duke e dërguar në rrjetë dhe duke ndezur festën e “qytetarëve”.

Në minutat e fundit, Chelsea provoi të reagonte , por pa sukses përballë një City të organizuar dhe të qetë në menaxhimin e avantazhit.

Me këtë fitore, Manchester City siguron trofeun e tetë të FA Cup në historinë e tij dhe rikthehet të ngrejë kupën në Wembley për herë të parë që nga viti 2023. Ndërkohë, Chelsea pëson një tjetër zhgënjim në finalet e këtij kompeticioni, duke regjistruar humbjen e katërt radhazi në këtë fazë.