VIDEO/ Turi Çiklistik i Shqipërisë 2026 me 20 skuadra, Rama: Promovon sportin, turizmin dhe kulturën

Turi Çiklistik i Shqipërisë 2026 do të zhvillohet me pjesëmarrjen e 20 skuadrave nga Ballkani dhe Europa, duke e kthyer vendin në një skenë të rëndësishme ndërkombëtare sportive dhe turistike, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Rama bëri të ditur se aktiviteti, i ndarë në pesë etapa, do të përshkojë qytete historike, zona bregdetare dhe relievet malore, duke promovuar trashëgiminë kulturore, bukuritë natyrore dhe mikpritjen shqiptare, si dhe do të transmetohet për herë të parë “live” për publikun vendas dhe ndërkombëtar.

Kryeministri ndau në rrjete sociale një video dedikuar këtij aktiviteti të rëndëshishm teksa shkroi se “Turi Çiklistik, me 20 skuadra nga Ballkani dhe Europa, e kthen Shqipërinë në një skenë të madhe sportive dhe turistike, ku përmes pesë etapave që përshkojnë qytete historike, peizazhe mahnitëse, vijat bregdetare dhe relievet malore, promovohet drejtpërdrejt trashëgimia kulturore, bukuritë natyrore dhe mikpritja shqiptare; një event që ndërthur sportin e nivelit të lartë ndërkombëtar, turizmin dhe kulturën, ndërsa për herë të parë transmetohet LIVE, duke i dhënë publikut vendas dhe ndërkombëtar mundësinë të përjetojë emocionet e garës dhe të zbulojë Shqipërinë ndryshe”.

Ndërkohë, për mbarëvajtjen e aktivitetit, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të posaçëm masash sigurie dhe menaxhimi të qarkullimit rrugor, në bashkëpunim me institucionet përkatëse.

Gara do të zhvillohet në datat 18-22 maj 2026 dhe do të përshkojë disa nga akset kryesore të vendit, ndërsa strukturat e rendit do të jenë të angazhuara për eskortimin e sportistëve dhe garantimin e sigurisë përgjatë itinerarit.

Policia e Shtetit u kanë bërë thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe përdorim të rrugëve alternative gjatë orareve të kufizimeve të përkohshme të qarkullimit.