Teuta mbijeton mes drithërimash në ‘Niko Dovana’, Daci hero në finalen e play-out-it
Teuta ka siguruar mbijetesën në Abissnet Superiore pas një finaleje dramatike play-out-i ndaj Pogradecit, e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës, ku u vendos gjithçka në minutat shtesë.
Ndeshja u mbyll 1-0 për durrsakët, me golin vendimtar të realizuar nga Daci në minutën e 90+3’, një moment që shpërtheu festën në tribuna dhe i dha fund një sezoni të vështirë për Teutën.
Finalja ishte e mbushur me tension deri në sekondat e fundit. Në minutën e 81-të, Pogradeci mbeti me 10 lojtarë pasi Pius u ndëshkua me karton të kuq pas rishikimit të aksionit me VAR. Gjyqtari Jorgji mori vendimin final pas sinjalizimit të sistemit VAR, duke ndezur protesta të forta nga skuadra liqenore.
Pavarësisht inferioritetit numerik, Pogradeci tentoi të rezistonte deri në fund, por në kohën shtesë Teuta shtoi presionin dhe gjeti golin e shumëpritur. Daci përfitoi nga një top i hedhur në zonën e portierit dhe dërgoi topin në rrjetë, duke vulosur fatin e ndeshjes.
Në fund, pas tetë minutave shtesë, vërshëllima finale konfirmoi fitoren 1-0 të Teutës, e cila ruan vendin në elitë, ndërsa Pogradeci mbetet me zhgënjimin e një humbjeje të dhimbshme në një ndeshje ku luajti me zemër, por nuk arriti të përmbysë fatin e play-out-it.

