VIDEO/ MTKS reagon ndaj incidentit në Kalanë e Gjirokastrës: Vizitori hyri pa biletë dhe refuzoi rregullat

Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit reagoi sot lidhur me lajmin e publikuar nga një portal mbi një incident të pretenduar në Kalanë e Gjirokastrës, ku një qytetar ka shmangur radhën e vizitorëve dhe nuk ka kryer pagesën e biletës.

Në një deklaratë për shtyp MTKS sqaron se “bazuar në verifikimin e pamjeve filmike nga kamerat e sigurisë dhe raportimin e administratës së monumentit, pretendimet e publikuara nuk pasqyrojnë të vërtetën e ngjarjes”.

“Siç mund të shihet qartë nga pamjet e kamerave të sigurisë rezulton qartë se qytetari në fjalë ka shmangur radhën e vizitorëve dhe ka hyrë në ambientet e kalasë nga zona e daljes, pa kryer pagesën e biletës, i ndjekur menjëherë edhe nga shoqëruesja e tij. Në atë moment, punonjësja e biletarisë ishte duke kryer procedurat e pajisjes me bileta për vizitorë të tjerë. Punonjësja e Kalasë së Gjirokastrës i ka kërkuar qytetarit të respektojë procedurën e rregullt të hyrjes dhe të kryejë pagesën sipas rregullave në fuqi për të gjithë vizitorët, vendas apo të huaj”, tha MTKS.

MTKS vë në dukje se sipas raportimit të stafit prezent dhe asaj që evidentohet në pamjet filmike, qytetari ka refuzuar të zbatojë kërkesën dhe më pas ka nxjerrë telefonin celular duke filmuar punonjësen, ndërsa komunikimi ka vijuar me tone intimidimi, fyese dhe kërcënuese ndaj saj.

Për shkak të situatës së krijuar është kërkuar ndërhyrja e rojave të sigurisë, me qëllim menaxhimin e incidentit dhe rikthimin e normalitetit në shërbim.

Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dënon çdo përpjekje për të deformuar ngjarjen dhe për të cenuar figurën e punonjësve që ushtrojnë detyrën në zbatim të rregullave dhe administrimit korrekt të pasurive kulturore.

“Institucionet tona mbeten të angazhuara për të garantuar një përvojë dinjitoze dhe profesionale për çdo vizitor në sitet kulturore të Shqipërisë, por njëkohësisht kërkojnë respektimin e rregullave nga çdo qytetar”, theksoi MTKS.

Kalaja e Gjirokastrës, një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe pjesë e pasurisë botërore UNESCO, vetëm gjatë këtij viti është vizituar nga mbi 60 mijë vizitorë dhe administrohet mbi bazën e standardeve të qarta të shërbimit, sigurisë dhe aksesit për të gjithë./atsh