Për Preç Zogajn dhe poezinë e tij: Gjërat e bukura lexohen me vështirësi

- Shënime mbi vëllimin me poezi “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”

Gjërat e bukura lexohen me vështirësi sepse ato të detyrojnë të shohësh brenda vetes, dhe jo gjithmonë jemi gati për atë që do të gjejmë aty.

Nëse 40 vite më parë, te vëllimi “E pakrye”, Preç Zogaj na ftonte të jetonim në një “shtëpi pa çati”, aty ku dashuria ishte një horizont i hapur dhe i pambrojtur nën qiell, sot, me “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”, ai na tregon se muret e asaj shtëpie janë mbushur me pasqyra.

Ky është evolucioni i tij i jashtëzakonshëm: nga lirizmi i hapur që kërkonte lirinë pa kushte, te reflektimi i pjekur që guxon të shohë brenda vetes.

Ajo që dikur ishte një “shtëpi e pakryer”, tani është një tempull i ndërgjegjes, ku mëkati dhe dashuria shihen sy më sy, me të njëjtin sinqeritet që Preçi ka ruajtur në çdo varg të këtyre katër dekadave krijimtari.

Nëse do të më duhej ta karakterizoja poezinë e Preç Zogajt me tri fjalë, do të zgjidhja: lirizmi, melankolia dhe reflektimi.

Ndërsa vetë Preçin, në poezinë shqipe sot, mund ta konsiderojmë pa asnjë mëdyshje: autoritet, referencë dhe model.

Këto dy triada nuk janë thjesht përshkrime, por dy nivele të të njëjtit fenomen.

E para lidhet me strukturën e brendshme të poezisë së tij, ndërsa e dyta me mënyrën se si ajo vendoset në poezinë shqipe.

Në këtë ndërthurje, poezia e Preç Zogajt shfaqet si një hapësirë ku përvoja njerëzore na jepet si proces i qetë vetëdijesimi.

Lirizmi është "forma" ose "mjeti". Ai ka të bëjë me shprehjen e ndjenjave subjektive, muzikën e vargut dhe bukurinë e gjuhës.

Melankolia është "ngjyra" ose "shpirti". Ajo është ndjenja e hollë e trishtimit, mallit apo vetmisë.

Te Preç Zogaj, ky bashkim do të thotë se ai e këndon trishtimin me një gjuhë shumë të bukur dhe elegante. Nuk është një trishtim i rëndë që të mbyt, por një trishtim estetik, ku dhimbja kthehet në art përmes vargut lirik.

Reflektimi te Preç Zogaj shfaqet si vetëdija që shoqëron emocionin. Ndërsa lirizmi dhe melankolia janë ndjenja të pastra, reflektimi është momenti kur poeti ndalon, analizon dhe nxjerr një përfundim filozofik për jetën ose veten.

Në poezinë e tij, reflektimi gjendet te marrëdhënia me kohën. Ai nuk trishtohet se koha po kalon, por reflekton mbi atë që mbetet pas. Poeti shpesh flet me veten e tij sikur të ishte një tjetër, duke analizuar gabimet, dështimet dhe rritjen shpirtërore.

Poezia shndërrohet kështu në një akt vetëdijeje, ku estetika dhe etika prekin njëra-tjetrën.

Po çfarë është Preçi sot në poezinë shqipe?

Preç Zogaj është autoritet, referencë dhe model.

Është autoritet, jo prej famës, por nga mënyra se si na bën ta lexojmë dhe ta kuptojmë poezinë.

Është referencë për autenticitetin lirik, vetëdijen dhe evolucionin poetik, ku ndjenja dhe mendimi mbahen në ekuilibër.

Dhe është model, pasi në rrugëtimin e tij poetik shohim se si ndërtohet poeti me ndershmëri artistike.

Si përfundim, poezia e Preç Zogajt mund të lexohet si një lirizëm i vetëdijshëm, ku melankolia nuk është dorëzim, por ndjeshmëri e rafinuar ndaj mungesës, dhe ku reflektimi e kthen përvojën emocionale në kuptim.

Në këtë poezi, fjala nuk është vetëm shprehje, por mënyrë shikimi.

Shkrimtarë ka shumë.

Poetë më pak.

Poetë me vepra edhe më pak.

Preç Zogaj është njëri ndër ta.