Shkon në 21 numri i viktimave nga sulmet ruse në Kiev

Numri i viktimave nga vala më e fundit e sulmeve ruse ndaj kryeqytetit ukrainas Kiev është rritur në 21, njoftoi sot në mëngjes  autoriteti ukrainas i mbrojtjes civile.

Punonjësit e shpëtimit po vazhdonin kërkimet për 17 persona të zhdukur nën rrënojat e një blloku banimi të shkatërruar, raportuan mediet ukrainase.

Dhjetëra persona të plagosur po marrin  trajtim mjekësor.

Autoritetet në Kiev e kishin vendosur numrin e viktimave në 16 dje në mbrëmje.

Rusia sulmoi kryeqytetin dhe pjesë të tjera të Ukrainës gjatë natës me qindra dronë e raketa në një sulm jashtëzakonisht të rëndë edhe pas më shumë se katër vitesh lufte.

Sipas autoriteteve ukrainase, dhjetëra ndërtesa banimi u dëmtuan në të gjithë vendin.

Rajoni përreth Kievit, si edhe rajonet e Kharkivit dhe Odesës, u goditën rëndë.

Të mërkurën, Rusia kishte kryer tashmë një nga sulmet më të rënda dhe më të gjata ndaj Ukrainës që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit 2022, duke përdorur më shumë se 800 dronë.