Tragjedi në një kolegj në jug të Anglisë/ Meningjiti i merr jetën një studenti, raste të tjera nën trajtim

Në qarkun Berkshire në Anglinë jugore është regjistruar një grup rastesh me meningjit, ku një student ka humbur jetën dhe dy të tjerë ndodhen të shtruar në spital.

Sipas Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore të Mbretërisë së Bashkuar, rastet lidhen me të rinj që janë të lidhur me një kolegj në zonë.

Një nga rastet është meningjit i tipit B, ndërsa për dy rastet e tjera po priten ende rezultatet e analizave laboratorike.

Personat që kanë pasur kontakt të ngushtë me të prekurit janë trajtuar me antibiotikë si masë parandaluese, për të ulur rrezikun e përhapjes së infeksionit.

Autoritetet lokale kanë bërë të ditur se i riu që humbi jetën ishte student në Kolegjin Henley dhe se janë marrë masa për kontaktimin e personave që kanë qenë pranë tij.

Shërbimet shëndetësore në Britani sqarojnë se sëmundja meningokoksike përhapet vetëm përmes kontaktit të ngushtë dhe rreziku për popullatën e gjerë mbetet i ulët.

Më herët, në mars, një shpërthim tjetër i meningjitit në Kent të Anglisë solli 27 raste të konfirmuara dhe dy humbje jete, duke rritur vëmendjen për vaksinimin dhe masat parandaluese.