Kriza në Lindjen e Mesme nxjerr në pah përçarjet brenda BRICS
Ministrat e Jashtëm të BRICS nuk arritën të miratonin një deklaratë të përbashkët, në përfundim të takimit dyditor në Nju Delhi, për shkak të mospajtimeve mes disa vendeve anëtare lidhur me konfliktin në Lindjen e Mesme, raportoi AP.
Sipas njoftimit të autoriteteve indiane, mospërputhjet nxorën në pah sfidën për ruajtjen e unitetit brenda bllokut, ndërsa ai synon të zgjerojë ndikimin e tij në arenën ndërkombëtare.
India, në deklaratën e saj, theksoi se vendet anëtare paraqitën “qëndrimet e tyre kombëtare dhe ndanë një gamë këndvështrimesh” mbi çështje si sovraniteti, siguria detare dhe mbrojtja e infrastrukturës civile dhe jetëve të civilëve në Lindjen e Mesme.
Një prej vendeve anëtare të BRICS kundërshtoi pjesë të draft-deklaratës që lidhej me konfliktin në Gaza dhe sigurinë detare në rajonin e Detit të Kuq, duke penguar miratimin e një deklarate të përbashkët.
BRICS përfshin aktualisht Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën, Afrikën e Jugut, Etiopinë, Egjiptin, Iranin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Indonezinë.
Përçarjet mes anëtarëve janë bërë më të dukshme gjatë luftës me përfshirjen e Iranit, veçanërisht për shkak të qëndrimeve të ndryshme mes Iranit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi u bëri thirrje dje vendeve të BRICS, të dënojnë SHBA-në dhe Izraelin – për atë që ai e cilësoi si “agresion të paligjshëm”, si dhe të kundërshtojnë politizimin e institucioneve ndërkombëtare.
