“Disfata ushtarake ndaj Iranit”/ Trump lë të hapur mundësinë e veprimeve të reja nga SHBA
Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar sërish me tone të ashpra ndaj Iranit, duke folur për një disfatë ushtarake të Teheranit dhe duke lënë të hapur mundësinë e veprimeve të mëtejshme nga SHBA.
Në një postim në rrjetin e tij Truth Social, ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë rikthyer në një periudhë force dhe ndikimi në arenën ndërkombëtare.
Ai iu është përgjigjur edhe deklaratave të mëparshme që i atribuohen presidentit kinez Xi Jinping, i cili ka folur për një Amerikë në rënie.
Trump ka pranuar se një pjesë e atyre komenteve mund të kenë qenë të sakta, por sipas tij kjo i përket periudhës së administratës së Joe Biden dhe jo situatës aktuale.
Në të njëjtin postim, ai ka përfshirë edhe Iranin, duke e cilësuar situatën si një disfatë ushtarake dhe duke lënë të kuptohet se zhvillimet mund të vazhdojnë edhe më tej.
Këto deklarata vijnë në një moment kur bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit për programin bërthamor dhe sanksionet mbeten të bllokuara, ndërsa tensionet në rajon vazhdojnë.
Trump ka folur gjithashtu për ekonominë amerikane, duke e përshkruar SHBA-në si një nga vendet më të forta aktualisht në botë, me investime të larta dhe performancë të mirë në tregjet financiare.
Në postimin e tij, ai ka kritikuar edhe ish-administratën Biden, duke përmendur çështje si kufijtë, krimi dhe politikat ekonomike, ndërsa ka përsëritur se Shtetet e Bashkuara sot ndodhen në një situatë shumë më të fortë se dy vite më parë.

