Akuza për korrupsion/ Miliarderi indian bie dakord të shlyejë 18 mln $ ndaj SHBA-ve

Miliarderi indian Gautam Adani ka rënë dakord të paguajë rreth 18 milionë dollarë në Shtetet e Bashkuara, në kuadër të një marrëveshjeje me autoritetet amerikane për një çështje të lidhur me korrupsionin, pa pranuar dhe as mohuar akuzat ndaj tij.

Sipas dokumenteve të “Adani Group”, pagesa përfshin Adanin dhe bashkëpunëtorët e tij dhe lidhet me hetimet e nisura në Nju Jork në nëntor 2024.

Çështja e prokurorëve amerikanë e akuzon atë dhe disa persona të tjerë për përfshirje në një skemë ryshfeti që dyshohet se arrinte rreth 250 milionë dollarë, me qëllim sigurimin e kontratave për projekte të energjisë diellore në Indi dhe mashtrimin e investitorëve ndërkombëtarë.

Autoritetet amerikane pretendojnë se skema ka përfshirë pagesa ndaj zyrtarëve indianë për të favorizuar kompanitë e grupit në tendera të mëdhenj energjetikë. Adani i ka mohuar më herët akuzat, duke i cilësuar të pabazuara.

Në një njoftim për bursën e Mumbait, “Adani Group” sqaron se marrëveshja financiare nuk përbën pranim faji dhe se nuk përfshin drejtpërdrejt kompaninë “Adani Green Energy”.

Sipas mediave amerikane, në sfond të procesit kanë ndikuar edhe negociata ligjore dhe diskutime për investime të mundshme të grupit në SHBA. Rasti ka tërhequr vëmendje edhe në Indi, pasi Adani është një nga biznesmenët më të pasur në botë dhe një figurë me ndikim të madh në sektorë si energjia, aeroportet dhe infrastruktura.

Çështja pritet të vijojë në gjykatat amerikane, ku do të përcaktohen hapat e mëtejshëm të hetimit.