Vexhi Buharaja, dijetari poliglot orientalist

Muzeu Historik Kombëtar kujtoi ditën e lindjes, Vexhi Buharanë, një nga figurat më të ndritura të kulturës, historiografisë dhe orientalistikës shqiptare.

Vexhi Buharaja lindi më 12 maj 1920 në qytetin e Berat. Në vendlindje kreu arsimin fillor dhe një pjesë të arsimit të mesëm. Më tej vijoi studimet në Medresenë e Tiranës. Shumë shpejt u dallua si një intelektual i formuar.

Ai punoi në redaksinë e revistës “Kultura Islame”, organ i Komuniteti Mysliman Shqiptar, ku merrej me shkrimin, redaktimin dhe botimin e artikujve që lidhnin kulturën, historinë dhe traditën islame me realitetin shqiptar.

Më pas, në Institutin e Historisë, la gjurmë të pashlyeshme me gjurmimin, mbledhjen, sistemimin, transkriptimin dhe përkthimin e qindra mbishkrimeve osmane dhe dokumenteve të Lidhjes së Prizrenit.

Njohja e gjuhëve orientale (persishtes, arabishtes, osmanishtes) dhe e disa gjuhëve perëndimore i mundësoi të sillte në shqip kryevepra si “Gjylistani dhe Bostani” i Saadi Shirazi, “Shahnameja” e Firdeusit.

Krahas punës shkencore, Vexhi Buharaja lëvroi edhe poezinë, duke treguar talent të admirueshëm në letërsi. Megjithëse jeta e tij u shënua edhe nga puna e detyruar në vitet 1946–1948, si dhe nga largimi i padrejtë nga Instituti i Historisë në vitin 1975, pasioni për dijen mbeti i palëkundur.

Ai botoi studime dhe artikuj të rëndësishëm, duke u bërë një referencë e domosdoshme për historianët dhe gjuhëtarët.

U nda nga jeta më 5 korrik 1987 në qytetin e Beratit.

Shkrimtari, përkthyesi, orientalisti Vexhi Buharaja, veç shkrimeve dhe studimeve vetjake, ka kontribut të spikatur sa i përket akteve dhe memorandumeve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të Rilindjes Kombëtare Shqiptare e më gjerë. Përveç dokumenteve historike, përktheu veprat shkencore të Hasan Tahsinit, dramën “Besa” të Sami Frashërit, përmbledhjen poetike “Tahajjulat” (“Ëndërrimet”) dhe “Katër stinët” të Naim Frashërit. Një pjesë e mirë e përkthimeve u bënë pa përdorur emrin e tij, duke u tjetërsuar si vepra intelektuale.

Në fillimvitet ’90, Vexhi Buharaja u nderua me titujt “Mësues i Popullit” (pas vdekjes) dhe Qytetar Nderi. Sot, medreseja dhe biblioteka e qytetit të Beratit mbajnë emrin e tij. Kontributi i Buharasë është përmendur në disa monografi dhe është njohur nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

Më poshtë një pjesë nga “Gjylistani dhe Bostani” e Saadi Shirazit, përkthyer nga Buharaja:

“- Nga e mësove mirësjelljen?! – i thanë dikur Lukmanit.

– Nga ata që janë të pasjellshëm, – u përgjegj ai. – Kur shikoja se çfarëdo vepër që bënin ata ishte e shëmtuar në syt’e mi, hiqja dorë prej saj dhe nuk e bëja.”