‘A*ma’ e tij e vetme është kamera/ Mavriqi rrëfen projektin ambicioz për dokumentimin e zogjve
Fotografi i natyrës dhe kafshëve të egra, Arian Mavriqi, në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora News", zbuloi se po realizon një projekt ambicioz për dokumentimin e faunës në Shqipëri, me një fokus të veçantë te bota e shpendëve.
Ai ndau detaje nga puna e tij e përditshme, e cila kërkon një përkushtim të jashtëzakonshëm dhe një lidhje të ngushtë me natyrën. Për të, kamera nuk është thjesht një mjet pune, por siç e përshkruan vetë, “arma e vetme” dhe “partnerja më e mirë” në këtë aventurë.
Puna e tij nis herët, menjëherë pas lindjes së diellit, për të shfrytëzuar dritën e parë të mëngjesit, e cila është thelbësore për fotografi cilësore. Mavriqi zbuloi se kalon nga shtatë deri në tetë orë çdo ditë në terren, duke lëvizur nëpër habitate të ndryshme natyrore. Ai theksoi se sezoni aktual është ideal për dokumentim, pasi zogjtë shtegtarë janë kthyer tashmë në masën 99%.
" Po është kamera ime me të cilën unë thuajse jam çdo ditë në terren, pra kjo është, të themi më mirë, arma ime e vetme që përdori për dokumentimin e faunës.
Çdo ditë bashkë me të. Në fakt tashmë jemi se në sezonin më të mirë të mundshme për dokumentimin e shpendëve sepse zogjtë shtegtarë tashmë janë kthyer thuajse 99% prej tyre dhe po bëjmë të pamundurën që të qëndrojmë thuajse mbi shtatë deri në tetë orë çdo ditë për të dokumentuar jetën e egër.
Pas lindjes së diellit menjëherë jemi në terrene, sepse kjo është koha kur ne duhet të shfrytëzojmë maksimalisht dritën e mëngjesit, sepse gjithçka varet edhe nga drita për një fotografi më cilësore.
Prandaj po, mund të them lehtësisht pas lindjes së diellit ne jemi në terrene gjithandej, në laguna, liqene, lumenj, në natyrë kështu sikur tani, sepse ka disa lloje që le të themi folenizojnë apo ushqehen në habitate të ndryshme, pra nuk është njëjtë gjithmonë", u shpreh Mavriqi.
Ndiqni intervistën e plotë:
