Skënderbeu përballë a*mëve kineze dhe ruse/ Kotherja flet për muzeun unik që tregon historinë ushtarake shqiptare pa 'filtra'

I ftuar në studion e Ora News ishte Niko Kotherja, drejtor i Muzeut të Forcave të Armatosura, i cili solli një panoramë të detajuar mbi historinë dhe ekspozitën e këtij institucioni.

Muzeu i Forcave të Armatosura është një institucion në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe pasqyron historinë ushtarake shqiptare nga periudhat më të hershme deri në ditët e sotme.

Sipas Kotherjes, ekspozita nis me periudhën e Ilirëve dhe vijon me mesjetën, ku një vend të veçantë zë figura e Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Ai përmendi edhe një riprodhim të përkrenares dhe shpatës së heroit kombëtar, dhuruar nga artizani Alem Toska.

“Rrugëtimi i muzeut nis nga Ilirët dhe vjen deri në periudhat moderne, duke pasqyruar zhvillimin e forcave të armatosura shqiptare në çdo epokë historike.”- u shpreh Kotherja.

Më tej, muzeu trajton Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, shpalljen e Pavarësisë, periudhën e Monarkisë dhe zhvillimet e ushtrisë shqiptare në vite.

Një pjesë e rëndësishme i kushtohet Luftës së Dytë Botërore dhe periudhës pas saj, ku ekspozohen armatime të ndryshme të përdorura në Shqipëri.

“Ajo që e bën këtë muze të veçantë është bashkëjetesa e armatimeve kineze dhe ruse me prodhimet shqiptare, duke treguar qartë ndikimet historike dhe industriale të kohës.”-tha ai.

Kotherja veçoi edhe armët e prodhuara në vend, përfshirë atë që njihet si “Kallashnikovi i Poliçanit”, si dëshmi e industrisë ushtarake shqiptare në periudha të ndryshme.

Sipas tij, muzeu nuk është thjesht një hapësirë ekspozimi, por një rrëfim i vazhdueshëm i historisë së shtetit shqiptar dhe forcave të tij të armatosura.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS: