A do ta zëvendësojë njeriun? Prezantohet roboti humanoid që punon 8 orë pa pushim

Një video që po bën xhiron e rrjetit ka ndezur debat të madh mbi të ardhmen e punës dhe rolin e njerëzve në epokën e inteligjencës artificiale. Pamjet tregojnë robot humanoid duke kryer një turn të plotë 8-orarësh pune, me performancë që i afrohet asaj njerëzore.

Bëhet fjalë për Helix-02, një robot autonom i gjeneratës së re, i cili në video shihet duke lëvizur vazhdimisht në një ambient industrial, duke kapur, analizuar dhe sistemuar pako me një saktësi dhe ritëm që deri pak vite më parë dukej si fantashkencë.

Ajo që ka habitur më shumë njerëzit nuk është thjesht fakti që roboti punon, por mënyra sesi ai “mendon”. Helix-02 arrin të dallojë madhësinë, formën dhe pozicionin e objekteve në kohë reale, pa pasur nevojë për kontroll njerëzor. Ai punon pa lodhje, pa ankesa dhe pa ndërprerje, ndërsa në ekran shfaqet numri i mijëra pakove të përpunuara gjatë turnit.

Pamjet kanë ngritur menjëherë pyetjen që po frikëson gjithnjë e më shumë botën: A po afrohet dita kur robotët do të zëvendësojnë punëtorët?

Ndryshe nga robotët industrialë të dikurshëm, të kufizuar vetëm në lëvizje mekanike dhe procese të programuara, Helix-02 përfaqëson një brez të ri makinash që imitojnë sjelljen njerëzore dhe marrin vendime në mënyrë autonome.


Nga njëra anë, kjo teknologji shihet si revolucionare, pasi mund të eliminojë punët e rënda fizike, të rrisë produktivitetin dhe të reduktojë gabimet. Por nga ana tjetër, ajo po shton frikën se miliona vende pune mund të zhduken në të ardhmen.

Videoja ka shpërthyer në rrjetet sociale, ku shumë përdorues e kanë cilësuar zhvillimin “të frikshëm”, ndërsa të tjerë thonë se njerëzimi po hyn në një epokë krejtësisht të re, ku bashkëjetesa me inteligjencën artificiale do të bëhet normale.

Një gjë duket e sigurt: ajo që deri dje shihej vetëm në filma fantastiko-shkencorë, sot po ndodh para syve tanë.