Integrimi europian 'bashkon' PS dhe opozitën/ Zbardhet draft-rezoluta e dakordësuar për reformën zgjedhore dhe luftën ndaj korrupsionit

Komisioni për Politikën e Jashtme ka dakordësuar draft-rezolutën për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, e cila pritet të kalojë për miratim në Kuvend pas një debati që zgjati rreth pesë orë mes palëve politike.

Dokumenti përfshin disa nga kërkesat kryesore të opozitës dhe parashikon angazhime të përbashkëta për forcimin e procesit të integrimit në Bashkimin Europian.

Në draft-rezolutë, Kuvendi angazhohet të rrisë kontrollin parlamentar ndaj qeverisë, institucioneve të pavarura dhe agjencive shtetërore, duke kërkuar më shumë transparencë, auditim dhe llogaridhënie në procesin e reformave.

Një tjetër pikë lidhet me rolin e opozitës në Parlament. Mazhoranca angazhohet të garantojë pjesëmarrjen e plotë të opozitës në jetën parlamentare dhe respektimin e kërkesave të saj, ndërsa opozita angazhohet të marrë pjesë normalisht në aktivitetin parlamentar. Të dyja palët shprehin gatishmëri për forcimin e dialogut politik.

Rezoluta parashikon gjithashtu përfshirjen më të madhe të qytetarëve, grupeve të interesit dhe shoqërisë civile në procesin e integrimit europian.

Në dokument kërkohet përshpejtimi i reformës zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias, me synimin për të garantuar zgjedhje të lira dhe të barabarta.

Po ashtu, drafti përfshin mbështetje për institucionet kushtetuese dhe zbatimin e vendimeve të tyre, forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si edhe mbrojtjen e lirisë së medias dhe gazetarëve.

Rezoluta vjen në një moment debatesh politike mes mazhorancës dhe opozitës për procesin e integrimit dhe rolin e Parlamentit. Në seancën e kaluar plenare, opozita kërkoi diskutim për raportin e Parlamentit Europian mbi Shqipërinë, por kërkesa nuk u pranua nga shumica, e cila argumentoi se diskutimi do të zhvillohej në një seancë tjetër.

Integrimi europian 'bashkon' PS dhe opozitën/ Zbardhet