Ruçi për ngjarjen në Korçë: Një denoncim i tillë nuk është aspak i lehtë

E ftuar në emisionin “Epiqendër” të gazetares Sonila Musai, psikologia Elda Ruçi komentoi rastin e bujshëm në spitalin e Korçës, ku një mjek 72-vjeçar akuzohet për ngacmim ndaj një pacienteje 21-vjeçare.

Gjatë intervistës, Ruçi u shpreh se nëse ngjarja rezulton e vërtetë, vajza ka treguar një guxim të madh duke denoncuar publikisht rastin.

“Nëse kjo ngjarje është e vërtetë, vajza ka marrë një guxim goxha të madh. Për këtë gjë sinqerisht do ta përgëzoja,” tha psikologia.

Sipas saj, denoncimi i rasteve të tilla mund të shërbejë si zë për shumë persona të tjerë që kanë përjetuar situata të ngjashme, por që nuk kanë folur për shkak të frikës, ankthit apo pasojave psikologjike.

Psikologia theksoi gjithashtu se një denoncim i tillë sjell pasoja dhe rreziqe edhe për vetë personin që flet publikisht, duke përmendur ndikimin tek imazhi dhe jeta personale.