Akuzat ndaj mjekut në Korçë, Marku: Prezumimi i pafajësisë duhet respektuar
E ftuar në emisionin “Epiqendër” të gazetares Sonila Musaj, avokatja Aurora Marku komentoi rastin e bujshëm në spitalin e Korçës, ku një mjek 72-vjeçar akuzohet se ka ngacmuar seksualisht një paciente 21-vjeçare.
Gjatë intervistës, Marku theksoi rëndësinë e respektimit të procesit hetimor dhe prezumimit të pafajësisë, duke deklaruar se:
“Përderisa nuk kemi një vendim të formës së prerë, përderisa nuk kemi një përfundim hetimesh, mjeku është i pafajshëm.”
Ajo u ndal edhe tek mënyra se si trajtohen raste të tilla në media dhe rrjetet sociale, duke kritikuar titujt sensacionalë që, sipas saj, përdoren për të tërhequr klikime.
“Edhe pse si lajm bëri shumë bujë dhe ishte shumë i rëndë, titujt në rrjetet sociale janë bërë shumë bombastikë,” u shpreh avokatja.
Sipas Markut, kjo çështje duhet të trajtohet me kujdes dhe pa paragjykime deri në përfundimin e hetimeve.
Ajo shtoi se personalisht e ka të vështirë ta besojë akuzën në pamje të parë, por nënvizoi se fjala përfundimtare i takon drejtësisë.

