Caka: Rasti në Korçë ndikon tek besimi i qytetarëve ndaj mjekëve

E ftuar në emisionin “Epiqendër” të gazetares Sonila Musaj, psikologia Loreta Caka komentoi rastin e bujshëm në spitalin e Korçës, ku një mjek 72-vjeçar akuzohet se ka ngacmuar një paciente 21-vjeçare.

Gjatë intervistës, Caka u shpreh se ngjarje të tilla kanë ndikim të drejtpërdrejtë tek publiku dhe tek besimi që qytetarët kanë ndaj personelit mjekësor.

Sipas saj, çdo formë ngacmimi apo abuzimi cenon etikën profesionale, por nëse rezulton se lajmi nuk është i vërtetë, dëmet që shkaktohen janë të mëdha jo vetëm për personin e akuzuar, por edhe për sistemin shëndetësor në tërësi.

Ajo bëri thirrje për më shumë kujdes në trajtimin mediatik të çështjes, duke theksuar se portalet dhe rrjetet sociale nuk duhet të nxisin paragjykime përpara se të zbardhet e vërteta.